Një rast jo fort i zakontë është raportuar të hënën në Gjakovë, ku Policia ka prangosur dy persona, njërin për armë ilegale e tjetrin për pengim të zyrtarëve policorë. Arrestimi i tyre erdhi pasi Policia u alarmua me një thirrje, ku paralajmërohej një vrasje. Rasti po hetohet dhe tashmë janë zbuluar detajet, raporton Gazeta Sinjali.
Personat e dyshuar u arrestuan në rrugën “Lekë Dukagjini” dhe të dy janë dërguar në mbajtje.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se rasti u zbulua pas një informate që mori Policia nga njëri prej të dyshuarve, i cili alarmoi – duke dhënë një paralajmërim të rrezikshëm se do ta vrasë një person.
Thirrja e tij çoi në këmbë Policinë dhe menjëherë u ndërmorën veprimet e nevojshme, ku si rezultat patrulla policore arriti në vendin e ngjarjes.
I dyshuari kryesor është kapur, por që zyrtarët policorë hasën në pengesa, pasi një familjar i të dyshuarit i pengoi për ta arrestuar.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se përkundër pengesave, Policia ka arritur ta fus situatën nën kontroll dhe ka prangosur dy të dyshuarit.
Bazuar në informacionet e para, të dy të rinjtë kanë qenë në gjendje të dehur.
Në vendngjarjes, njësia policore ka arritur që të gjejë një armë, boks hekuri e thikë, që janë sekuestruar si prova materiale.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit ndaj dy të dyshuarve dhe masën e ndalimit policor për 48 orë, për veprat “Kanosja”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa paautorizuar të armeve” dhe “Pengim i personit zyrtar gjate kryerjes se detyrave zyrtare”