Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Për këtë projektligj votuan 62 deputetë por që munguan deputetët e opozitës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë prezantimit të projektligjit ka potencuar se Qeveria nuk ka hartuar projektligj të ri, porse i ka adresuar në mënyrë specifike çështjet që Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar antikushtetuese.
“Çështjet kryesore lidhen me retroaktivitetin e ligjit pastaj nevojën për qartësi në lidhje me periudhat kohore brenda të cilave Byroja Shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar kundërligjshëm, por gjithashtu përfshin edhe përbërjen e komisionit mbikëqyrës në dritën e garantimit dhe respektimit të parimit të ndarjes së pushteteve”- ka thënë ajo.
Theksojmë se më 11.09.2024, Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pasi Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se disa nene të këtij ligji nuk ishin në harmoni me Kushtetutën.