Alban Rraci, një nga emrat më të spikatur të biznesit dhe ekonomisë në Kosovë, ka shpallur kandidaturën e tij për deputet në Kuvendin e Kosovës, nën siglën e LDK-së.
Rraci premton të sjellë një frymë të re në politikën vendore, duke kombinuar përvojën e tij profesionale dhe trashëgiminë e tij familjare.
“Ka ardhur koha të mos qëndrojmë më indiferent ndaj zhvillimeve politike, por të marrim përgjegjësi për të ndërtuar një Kosovë më të mirë. Me përvojën time në ekonomi dhe biznes, dua të jem zëri i qytetarëve dhe bizneseve në Parlament.”, ka shkruar Rraci në llogarinë e tij në facebook, transmeton Klina.info.
Rraci është i biri i Ismet Rracit, ish-kryetari historik i Klinës, një figurë e respektuar në politikë.
Duke vlerësuar trashëgiminë e babait të tij, Rraci theksoi se puna dhe virtytet e tij do të jenë një shembull që do ta udhëheqë në këtë rrugëtim politik.
Zëri i biznesit në Kuvend
Me një karrierë të suksesshme në sektorin privat, Rraci premton të sjellë zgjidhje konkrete për nevojat e bizneseve dhe forcimin e ekonomisë së vendit.
“Njoh shumë mirë sfidat dhe nevojat e bizneseve tona. Stabiliteti i tyre dhe krijimi i mundësive të reja janë garancia më e mirë për një të ardhme të sigurt për qytetarët tanë,” u shpreh tutje ai.
Rraci tha se vetëm një Kosovë e zhvilluar ekonomikisht dhe me stabilitet politik mund të sigurojë ruajtjen e substancës kombëtare dhe forcimin e familjes.
Me përkushtimin për të qenë një zë i fuqishëm në Kuvend, Rraci i ftoi qytetarët ta mbështesin në këtë rrugëtim, duke garantuar se do të punojë pa u lodhur për interesat e tyre.
“Koha për ndryshim ka ardhur, dhe së bashku mund ta bëjmë Kosovën vendin ku duam të jetojmë,” përfundoi ai.