Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka shtruar të hënën Darkën e Lamës, ku mes shumë njerëzve, i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti,
Kurti, në fjalën e tij gjatë darkës, theksoi se ajo simbolizon unitetin dhe begatinë e kombit, përmes mesazhit të bashkimit rreth bukës dhe traditës.Ai ka falënderuar fermerët për rritjen e prodhimit vendor dhe ka premtuar vazhdimin e mbështetjes për ta, duke theksuar se sukseset janë të përbashkëta.Kryeministri ka shtuar se për bukën e sofrës, Kosova tani ka më shumë produkte vendore, me një rritje prej 50 për qind.“Në sofrën e përbashkët të begatisë përçojmë mesazhin e unitetit, bukës dhe zemrës.
Në këtë dolli të përbashkët falënderoj fermerët tanë për rritjen e prodhimit vendor.
Ne do të vazhdojmë mbështetjen, sepse sukseset i kemi të përbashkëta.
Sivjet kemi sipërfaqe më të madhe të tokës dhe rritjen e burimeve të produktit vendor janë rritur për 50 për qind; për tokat e mbjella, bukën e sofrës e gëzojmë vetëm me produkte vendore,”, ka thënë Kurti.Edhe ministri Peci nënvizoi vlerën e kësaj darke, të cilën e lidhi me amanetin e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili e kishte përshkruar atë si një shenjë të sigurisë së bukës dhe të ardhmes për popullin kosovar.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e unitetit për prosperitetin e kombit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme.
Sipas Pecit, kjo darkë përmbledh nderimet për Zotin dhe punën e fermerëve e frytet e bujqësisë.“Jemi mbledhur para kësaj darke të bekuar në vitin më të begatë të bujqësisë. Darka e Lamës përmbledh nderimet për Zotin dhe frytet dhe punën tonë. Në fund të çdo vjeshte, shqiptari i lashtë i këtij gadishulli shtronte frytet, ku shtronte një darkë, falënderonte Zotin për bereqetin dhe ekzistencën e jetës”.
“Këtë darkë paraardhësit tanë e kanë shtruar me shekuj, por meritat i takojnë presidentit tonë të parë, Ibrahim Rugova, për sa i përket datës së lindjes së tij, kur shtronte Darkën e Lamës duke shpresuar se këtë hap do ta marrin edhe të tjerët”.“Kemi shumë për të shënuar sot përmes kësaj feste, një nga amanetet e Rugovës ishte sigurimi i bukës së motmotit, kjo u mundësua nga përkrahja e Qeverisë, begatia dhe djersa e fermerëve që na kanë nderuar sot”, ka deklaruar Peci.Në vitin 2002, ish-presidenti Ibrahim Rugova shpalli Ditën e Falënderimeve – Darkën e Lamës si një festë shtetërore