Gëzim Kelmendi nga partia “Fjala”, u ka bërë ftesë publike që të garojnë bashkë për zgjedhjet e 9 shkurtit, Eman Rrahmanit, Visar Korenicës e Ferid Aganit.
Megjithatë, forma e kërkesës përmes rrjeteve sociale duket se nuk i ka bërë fare përshtypje Rrahmanit nga “Lëvizja për familjen”.
“Unë e pash statusin e tij në rrjetet sociale. Ne kemi kontakt, kemi adresë. Nuk i kuptojë kërkesat e tilla, qasjen e tillë për bashkëpunime. Ne nuk funksionojmë me statuse. Mua nuk më ka kontaktuar askush. Por, nëse, e themë nëse … ai bën kërkesë në formën e duhur atëherë do ta diskutojmë brenda partisë”, ka deklaruar Rrahmani për IndeksOnline.
Ndërkaq, Rrahmani është pyetur edhe rreth deklaratave të kreut të AKR-së, Behxhet Pacolli, pasi ai një ditë më parë ka shprehur paknaqësi për mungesën e bashkëpunimit brenda këtij koalicioni.
“Koalicioni jonë është duke funksionuar është në editim edhe unë mundem me folë për angazhimin tim, dhe a qëndron a largohet dikush është vendim i secilit. Nuk ka diçka jashtë asaj për cfarë jemi dakordu. Për ata nëse dikush ka ftohje, mundeni me kontaktu ata, na jemi në rregull jemi duke u marrë me aktivitete”, ka deklaruar Rrahmani për IndeksOnline.
Rrahmani ka mohuar të ketë përqarje, derisa është zotuar se në zgjedhjet e 9 shkurtit do të garojnë si koalicion.
“Absolutisht nuk është diskutuar puna e posteve. Deri sot jemi bashkë dhe besoj se bashkë do të jemi edhe në zgjedhje dhe nuk ka diskutime brenda koalicionit “Lëvizja për familjen”, Pardia e Drejtësisë dhe AKR-ja do të jenë bashkë”, ka theksuar Rrahmani.
Vlen të përmendim faktin se gjithë kjo iniciativë politike lindi për shkak të pakënaqësive të Rrahmanit dhe Korenicës me disa nisma ligjore të qeverisë Kurti, përfshirë Projektkodin civil, me të cilin zyrtarizohen bashkësitë civile të seksit të njëjtë. Megjithkëtë, ky Projektkod civil nuk është votuar gjatë kësaj legjislature, me gjithë insistimin e kryeministrit Kurti dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë./IndeksOnline/