“Prapë ky Peci po gënjen, ndalu more” – Pacolli thotë Fatoni shkoi në zyrën e tij duke e fyer LDK-në

Vazhdon përballja Behgjet Pacolli-Faton Peci. Kreu i AKR-së ka thënë se ministri i Bujqësisë po gënjen në të gjitha aludimet e tij.

Sipas Pacollit, Faton Peci shkoi në vitin 2014 tek ai, duke fyer LDK-në dhe i kërkoi futjen në AKR.

“Kërkoj ndjesë publike që po detyrohëm, për herë të fundit të merrem me këtë.
Prapë ky Peci po GENJEN!
Ndalu, more, mos gënje!
A është për shkak të urtësisë dhe edukatës sime që nuk ke frikë dhe sulmon mua? Ndalu njëherë!
Peci ka ardhur tek unë para zgjedhjeve të vitit 2014 dhe ka kërkuar të ishte pjesë e listës së AKR-së, duke fyer LDK-në dhe lidershipin e saj.
Unë nuk mund t’i ofroja një vend në listën e AKR-së. Pas mikpritjes së zakonshme në shtëpinë time, ai është larguar.
Peci po GENJEN kur pretendon se i kam ofruar të bëhej shef kabineti i Agim Bahtirit. Agim Bahtiri kishte ekipin e tij dhe atëherë, Peci ishte i panjohur për ne.
Peci po GENJEN kur pretendon se i kam ofruar postin e zëvendësministrit të MPJ-së. Si mund t’i ofroj dikujt diçka që ne nuk e posedonim?
Në atë kohë, mandati ynë qeveritar kishte përfunduar; ishim në proces zgjedhor dhe, pa qenë pjesë e qeverisë, nuk kishim asnjë mundësi t’i ofronim një post të tillë.
Peci po GENJEN kur thotë se dikush në shtëpinë time i ka ofruar banesë ne Pr. dhe 200,000 euro. Ai duhet të sjellë fakte për këtë genjeshtër, ndryshe do të duhet të përgjigjet para drejtësisë.
Një akuzë e tillë është e rëndë dhe e natyrës korruptive.
Peci nuk duhet të tentojë të devijojë vëmendjen, duke njollosur emrin tim. Ai duhet të përballet me akuzat që po i bën gjithë Kosova ndaj tij”, shkruan Pacolli në reagim./