Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur në epërsi pjesën e parë ndaj Lituanisë.
“Dardanët” janë në avantazh me rezultat minimal 1:0, sfidë që e dominuan në të gjitha aspektet.
Kosova ishte më e rrezikshme që në fillim, ku krijoi disa aksione të bukura dhe rrezikoi me Edon Zhegrovën, që ishte pranë të shënonte supergol nga distanca.
Ishte Albion Rrahmani që e vodhi topin në sulm për të pasuar te Vedat Muriqi, i cili asistoi për Muharrem Jasharin që realizoi përballë portierit mysafir për ta kaluar Kosovën në epërsi (5’).
Kosova vazhdoi të krijojë edhe disa aksione, sidomos me Zhegrovën që dribloi disa futbollistë por dështoi ta finalizonte.
Sidoqoftë, situata u tensionua në minutën e fundit të kohës shtesë kur Jashari u ndëshkua me karton të kuq, pas një rishikimi të VAR-it.
Kësisoj, “Dardanët” do të jenë me një lojtar më pak në pjesën e dytë, gjë që mund të na vështirësojë gjërat.