Peci: Nuk mundeni me më ndal as me ujë, as me plumba, veç pritni kriminela

Ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, po kërkohen të nisin hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro grant.

Lidhur me këtë, ka reaguar vet ministri përmes Facebook-ut.

Peci deklaron se askush nuk mund ta ndalë atë, as me ujë e as me plumba.

Edhe thirrjen për hetime ndaj tij e quan shpifje, e këto shpifje Peci thotë se i nisi ‘paterica e PDK-së, LDK ja e bitisi PDK-ja me kërkesa për shkarkime’.

“Siç edhe ua kam bërë me dije në fillim të mandatit, nuk mundeni me më ndalë as me ujë e as me plumba! Po e vështroj me kujdes shthurjen mentale të akuzave e shpifjeve! E nisi sulmin paterica e PDK-së, LDK ja e bitisi PDK-ja me kërkesa për shkarkime! Veç pritni kriminela!”, ka shkruar Peci.

Tutje, ministri paralajmëron se nga nesër, ai do ta shpërfaqë paftytyrësinë e kriminalitetit me emra.

“Nëse deri tash kam treguar etikë në të shprehur, nga tash e tutje do flas më hapur se asnjëherë tjetër e do t’iu demaskoi si kurrë më parë! Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim! Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra”.