Nis gjyqi kundër Trumpit, betohen 100 senatorët

100 ligjvënës të Senatit amerikan u betuan të enjten si juristë të procesit për shkarkimin e presidentit amerikan Donald Trump, duke i dhënë nismë zyrtarisht gjyqit të tretë të këtij lloji në historinë amerikane.

Demokrati Adam Schiff, i cili drejton ekipin e 7 anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, që do të kenë rolin e prokurorëve, u shfaq në sallën e Senatit për të lexuar dy akuzat e miratuara kundër Trumpit në muajin dhjetor, për abuzim të pushtetit dhe pengim të drejtësisë.

“Donald Trumpi ka abuzuar me postin e presidentit, duke përdorur fuqitë e tij për të shtyrë një qeveri të huaj të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020”, tha Adam Schiff, kryetar i Komisionit të zbulimit në Senat.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, i cili do të drejtojë procesin, i ftoi senatorët të tregohen të paanshëm.

“A betoheni solemnisht se gjithçka që ka të bëjë me procesin për shkarkimin e presidentit Donald Trump, do të vendosni drejtësi të paanshme, sipas Kushtetutës dhe ligjeve?”, iu drejtua John Robert senatorëve.

Ligjvënësit u përgjigjën: “Betohemi”, para se ta siglonin zotimin përmes një firme. Më pas lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell njoftoi nisjen e procedurave të para gjyqësore dhe tha se procesi do të nisë të martën në orën 13:00.

Senati amerikan kontrollohet nga republikanët dhe ka pak gjasa që presidenti të shpallet fajtor.