‘Dora e Ismetit’ – Munishi synon Evropën me Dukagjinin

Kur Ismet Munishi bëhet pjesë e Superligës, liga elitare e futbollit kosovar ka më shumë hijeshi, adrenalinë, emocion e rivalitet.

Trajneri karizmatik njihet për sharmin dhe shijen që ia jep Superligës dhe këtë e thotë shumëkush.

Munishi vendosi t’i kthehet zejes së trajnerit gjatë verës që shkoi pas një pauze që e bëri dhe “dora” e tij u ndie shpejt.

Ish-futbollisti i njohur kosovar e shtoi entuziazmin në Klinë derisa u zbulua emri i tij si timonier i ri i ekipit, disa muaj më parë.

Dhe, ai po e ekzalton çdo ditë e më shumë këtë Komunë me frymën dhe mentalitetin ofanziv e fitimtar që e ka përçuar aty.

“El Profesore”, siç e thërrasin disa, e ka gjetur “shkopin magjik” në xhirot e fundit pas një starti të sezonit larg pritshmërive.

Në pesë ndeshjet e fundit, Dukagjini, skuadër të cilën e drejton ai, është njëri prej ekipeve më në formë në elite me 3 fitore e 2 barazime.

“Luanët” e Munishit po marrin me vete çkado që po iu del përpara.

Shpirtin e tyre luftarak e shfaqën edhe në fundjavën që shkoi duke regjistruar fitore dramatike dhe për mbamendje ndaj Feronikelit ’74, ndonëse ishin me dy lojtarë më pak në fushë.

E krejt kjo seri për duartrokitje dhe situatë aktuale i ka rritur apetitet dhe pritshmëritë në Klinë.

Në një bisedë me “Gazetën Express”, Munishi nuk e fsheh objektivin e përbashkët të tij me kryesinë e me lojtarët për ta nxjerrë ekipin nga “18 Qershori” përsëri në Evropë.

“Ne nuk e kemi pasur një objektiv të qartë në fillim të sezonit, por ta them të drejtën dëshira ime dhe e lojtarëve është që ne të luftojmë për garat evropiane. Do të luftojmë me shumë fanatizëm deri në fund”, shprehet fillimisht Munishi.

Por, ai nuk e harron assesi periudhën e vështirë nëpër të cilën kaloi Dukagjini para se të shihte dritë.

Durimi dhe qetësia ishin “kod zhbllokues” për ekipin gjelbër e bardhë.

“Është e vërtetë që e kemi pasur një fillim jo të mirë. Jo që nuk kemi merituar më shumë, por thjesht i kemi pasur disa gabime individuale, të cilat me kohën i kemi përmirësuar dhe në vazhdimësi kanë rezultuar të suksesshme. Si klub jemi në qetësi të madhe, edhe kur nuk kemi pasur rezultate kemi pasur shumë qetësi. E kam pasur në çdo moment përkrahjen e të gjithë qytetit, e kam pasur përkrahjen e drejtuesve të klubit”, nënvizoi tutje ai.

E tash të gjithë e kanë lënë prapa krahëve atë periudhë dhe po e shijojnë bashkërisht momentin “po”.

“Më vjen mirë që ka reaguar skuadra në mënyrën më fantastike të mundshme në këto ndeshjet e fundit dhe e kemi treguar fytyrën tonë të vërtetë. Besoj se ne mundemi edhe më shumë.”

Edhe pse shumëkush e sheh atë si “magjistarin” e Dukagjinit, si gjithherë ai i lartëson lojtarët e tij, të cilëve ua jep kreditet e merituara për këtë ecuri pozitive.

“Ne kemi merituar më shumë pikë edhe në xhirot e kaluara, por ndodhi si ndodhi. Është mirë që jemi kthyer në mënyrë fantastike. Mund të them që kam grup fantastik të lojtarëve. Po ashtu, edhe lojtarët kanë karakter shumë të fortë dhe në kohën vendimtare kanë treguar karakter fantastik, sidomos në ndeshjen e fundit, të cilën e kemi fituar me tetë lojtarë. Presim rezultate shumë të mira në të ardhmen.”

Krahas lojtarëve, natyrisht nuk e harron as kryesinë e klubit, e cila i ka qëndruar gjithmonë prapa, në të mirë e në të keq, me besim total, pa e menduar asnjëherë ndarjen e parakohshme.

“Atmosfera është fantastike në ekip, e kam një president që ka më së shumti përvojë prej të gjithë presidentëve në Superligë, i njeh rrethanat shumë mirë. E kam një drejtor sportiv, Korab Desku, i cili është enciklopedi e futbollit dhe e njeh futbollin fantazi, në mënyrën më të mirë të mundshme. Bashkëpunojmë shumë mirë mes vete, besoj se do të bëjmë gjëra shumë të mëdha në të ardhmen të gjithë së bashku.”

E kur jemi tek talentët, “Dora e Munishit” është vërejtur gjithmonë.

Ai në emisionin “Favorit” në “T7” ishte zotuar se do të nxirrte përsëri lojtarë që do të luajnë në Kombëtare.

Dhe, duket se është në rrugë të duhur edhe këtë herë.

Mjafton t’ia lëshojmë një sy sensacionit të fundit të Superligës, Hekuran Berisha, i cili me atë që po e tregon, ka potencial të bëhet lojtar i madh.

E Munishi është i sigurt se kjo do të ndodhë.

“Juve si redaksi e sportit në ‘T7’ dhe si gazetarë të Expressit’ ju ftoj ta bëni një reportazh për Hekuran Berishën ekskluzivisht, do të jetë diçka historike sepse do të jetë një djalë që do t’i mbërrijë majat e futbollit evropian dhe është një djalë që ka potencial të jashtëzakonshëm në futboll. Deri këtu mund të themi se është më meritori për këto rezultate pozitive. Ka treguar jashtëzakonisht karakter, talent dhe forcë që në moshë të re, tash si 19 vjeçar, na ka ndihmuar shumë në arritjen e objektivave.”

Por, super-talenti Berisha s’është i vetmi pasi Munishi ka nuhatur talent dhe “brum” edhe tek disa lojtarë të tjerë që i ka në ekip.

“Ne kemi arrit që të qesim në pah talentë shumë të rinj dhe shumë të mirë. Përpos Hekuran Berishës janë edhe Dardan Morina dhe Erlis Xhemaili, të cilët kanë minutazh shumë të madh në formacion.”

Për pjesën e dytë të sezonit, Munishi nuk mendon të bëjë ndryshime të mëdha.

Ai do t’i presë krahëhapur të rikthyerit nga lëndimi, ndërsa do ta pasurojë ekipin me “diamantë” të rinj.

“Jemi në kërkim dhe në janar do të transferojmë ekskluzivisht talentë të rinj që kanë potencial shumë të madh sepse baza dhe boshti i ekipit është i gatshëm, sidomos kur të rikthehen edhe lojtarët e lënduar siç është Besir Iseni, Met Millaku, Egzon Sinani, të cilët janë forcë shumë e madhe për ne.”

Tash derisa Superliga do të pushojë dy javë për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve, Munishi s’do të ndalet kurrsesi.

Ai do të punojë pandërprerë për ta zhbllokuar formulën e mposhtjes së kundërshtarëve të radhës, për të dimëruar më pas i qetë dhe për ta pritur një pranverë të madhe me “Hithat