Feronikeli ’74 njoftoi të enjten tërheqjen nga të gjitha garat me akuzat se këtë sezon iu janë bërë padrejtësi të mëdha nga gjyqtarët.
Me largimin e klubit nga Drenasi ndryshon edhe e tërë renditja në Superligën e Kosovës, shkaku i rregullave të FFK-së.
Neni 61 i Rregullores së Garave e thotë më së miri se nëse një klub tërhiqet ose përjashtohet nga gara pa zhvilluar 50 për qind të ndeshjeve, atëherë të gjitha ndeshjet e tyre anulohen.
“Nëse përjashtimi ose tërheqja ndodh kur ekipi ka kryer më pak se 50% të ndeshjeve të planifikuara, do të shpallen të pavlefshme të gjitha pikët që ekipet e tjera kanë marrë në takimet direkte me të”.
Kësisoj, të gjitha klubet kosovare që kanë fituar pikë në përballjet ndaj Feronikelit ’74, do t’iu heqen pikët andaj edhe e tërë renditja në Superligën e Kosovës do të ndryshojë.
Ferizaj do të jetë skuadra më e prekur nga largimi i Niklit ngase kishte regjistruar dy fitore, prandaj tani do të jetë me gjashtë pikë më pak.
Pas Ferizajt, Llapi është skuadra e dytë më e prekur, ngase kishte mbledhur katër pikë në përballjet me Niklin.
Renditja në Superligën e Kosovës pa Niklin duket kështu:
1.Malisheva 18 pikë (-1 pikë)
2.Drita 17 pikë (-1 pikë)
3.Ballkani 16 pikë (-3 pikë)
4.Suhareka 14 pikë (-3 pikë)
5.Prishtina 13 pikë (-3 pikë)
6.Llapi 11 pikë (-4 pikë)
7.Gjilani 10 pikë (-3 pikë)
8.Dukagjini 8 pikë (-3 pikë)
9.Ferizaj 8 pikë (-6 pikë).