Pak më parë, Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK) në Klinë ka dalë me një njoftim publikisht.
“Kohët e fundit në rrjetet sociale janë qarkulluar informacione të pasakta lidhur me një takim të mbajtur në Motel “Nora”, ku disa individë nga Gjakova pretendojnë të kenë zgjedhur një kryetar të Bashkësisë së Degëve (BD) në Klinë. Personi i përmendur, Tush Berisha, nuk ka qenë asnjëherë anëtar i BD-së së PSHDK-së në Klinë dhe zgjedhja e tij nuk është njohur nga anëtarësia jonë”, thuhet në njoftim, transmeton Klina.info.
“për këtë arsye, njoftojmë se asnjë përfaqësues i Bashkësisë së Degëve të PSHDK-së në Klinë nuk ka marrë pjesë në këtë takim dhe nuk e njeh këtë zgjedhje. Gjithashtu, BD e PSHDK-së në Klinë nuk do të marrë pjesë në tubimin e paralajmëruar nga BD-ja e Gjakovës, i cili pritet të mbahet më 3 nëntor 2024 në Prishtinë”, thuhet tutje.
Zhvillimet e fundit
Më 23 tetor 2020, në Klinë është mbajtur Kuvendi Zgjedhor i BD-së së PSHDK-së, ku morën pjesë 123 delegatë nga 13 degë të Komunës së Klinës. Në këtë kuvend, me vota unanime u zgjodh kryesia e re e BD-së së PSHDK-së, me 21 anëtarë. Kuvendi u mbikëqyr nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Çertifikim në Prishtinë, dhe ishte prezent z. Driton Manaj, Zyrtar Komunal i Zgjedhjeve në Klinë.
Roli historik i PSHDK-së në Klinë
PSHDK-ja ka qenë gjithmonë një forcë e rëndësishme në jetën politike të Klinës, duke përfaqësuar elitën intelektuale dhe kontributin e çmuar të qytetarëve në Asamblenë Komunale që nga zgjedhjet e para pas luftës. Personalitete si Dr. Palush Prenaj, Ing. Gjelosh Berisha, Dr. Ukë Berisha, Prof. Ndrecë Zeqiri, dhe shumë të tjerë, kanë dhënë një kontribut të madh në përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Klinës.
Situata aktuale
Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, përmes manovrave dhe manipulimeve nga individë që nuk kanë qenë pjesë e PSHDK-së, partia jonë për herë të parë mbeti pa përfaqësues në Asamblenë Komunale të Klinës. Këta persona, të ndihmuar nga figura të paautorizuara nga diaspora, vazhdojnë të dëmtojnë PSHDK-në për interesa të grupeve të caktuara.
Për më shumë informacion
Zyra për Informim e Bashkësisë së Degëve të PSHDK-së në Klinë
Lekë Selmani