Ministrja Haxhiu, mori pjesë në Edicionin e 10-të të Shkollës diplomatike për diplomatët e rinj

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot në kuadër të Shkollës Diplomatike për Diplomatë të Rinj, prezantoi dhe bashkëbisedoi me diplomatë të shumta nga vende të ndryshme të botës rreth drejtësisë tranzicionale, krimeve të luftës dhe diplomacisë humanitare.

Ministrja potencoi angazhimin e Ministrisë për tu garantuar viktimave të drejtën për drejtësi dhe të vërtetën, përfshirë zhvillimin e një platforme për përllogaritjen e dëmeve të luftës përmes hartimit të Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale, si një dokument gjithpërfshirës për trajtimin e shkeljeve masive të të drejtave të njeriut, ligjit ndërkombëtar humanitar dhe krimeve tjera që janë e shkelje e së drejtës ndërkombëtare.

Mundësimi i gjykimit në mungesë, themelimi i Institutit për Krimet e Luftës, shtimi i buxhetit për rekrutim të prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesional dhe përkthyesve në Prokurorinë Speciale, ishin disa nga cështjet që u ngritën nga Ministrja Haxhiu duke ritheksuar kështu edhe njëherë prioritizimin e Qeverisë për adresimin e krimeve të luftës.

Në fund ministrja Haxhiu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare që promovojnë diplomacinë humanitare, ruajtjen e paqes dhe sigurisë, mbrojtjen e hapësirës humanitare, luftimin e terrorizmit, respektimin e të drejtës humanitare ndërkombëtare nëpërmes ndjekjes së krimeve duke luftuar pandëshkueshmërin, promovimin e barazisë gjinore dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore, mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuar si dhe respektimin e të drejtave të refugjatëve.