Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni në një intervistë për IndeksOnline ka folur për problemet që tash e sa kohë po i shqetësojnë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas Qunit, kualiteti i shërbimeve për ushtarët duhet të jetë në nivel sikurse në shtetet përendimore, të ngritura në standardet me të cilat bazohet çdo ushtri.
Si ish- ushtarak, Quni thotë se ushqimi i konzervuar mund të servohet në situata emergjente, sikurse në ato të fushë betejes.
“Të pakta janë ato ushtri që e praktikojnë këtë mënyrë. Thuajse asnjë shtet anëtar i NATO-s nuk e praktikon. Tani, vet FSK duhet me shpenzu energji me këtë çështje. Në bazë të asaj që kam parë kërkohet rekrutimi i mbi 20 kuzhinierëve por shpërblimi material është shumë i ulët”, ka thënë Quni.
Sipas tij, është barrë e shtetit që një ushtar të jetë vital që ai me i përballu të gjitha situatat.
“Ushqimi i konzervuar të jetë ushqim i përditshëm ndikon drejtpërsëdrejti në shëndetin e ushtarëve”, deklaroi ai.
Quni ka folur edhe për largimin e konsiderueshëm nga FSK.
“Është një paradoks që do studim, si është e mundur kur ka tensione ndër shtetërore, kur kryesisht rinia motivohet me shërby me uniform, kanë bërë trajnime të ndryshme tani vijnë në situatë që me u largu. Largohen nga trajtimi i dëmshëm që iu bëhet. Mjeket që iu ofrohen nuk ju mjaftojnë as për vete as për familje”, theksoi ai.
“Ka probleme me uniforma, me veshmbathje, me shërbime tjera dhe kjo është ngarkesë psiko- fizike”, thotë Quni.
Quni ka folur edhe për rolin e ministrit Ejup Maqedonci.
“Në të gjitha këto zhvillime vlerësimi im për personalitin e Ejup Maqedoncit është i lartë. Ja që tani gjindet në një post politik dhe performanca e tij nuk varet vetëm nga shkashtësitë, aftësitë, vullneti por varet nga nga mbështetja ose mos mbështetja partiake. Nëse nuk e kanë të njëjtin synim, natyrisht që lindin probleme është një luftë e brendshme”, vlerëson Quni.
Për më shumë ndiqni intervistën e plotë: