Kosova përfiton më së shumti në rajon nga Fondi i Garancisë i BE-së dhe KfW-së

Kosova është përfituesi më i madh në rajon nga Fondi i Garancisë për Ballkanin Perëndimor të BE-së dhe KfW në Mbështetje të Qëndrueshmërisë së Ndërmarrësve dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.

Kështu është thënë në një njoftim të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Aty theksohet se qëllimi i kësaj nisme është të mundësojë përshkallëzimin e investimeve në fusha që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik dhe integrimin rajonal, në veçanti duke rritur konkurrencën e rajonit dhe krijimin e vendeve të punës.

“Urime Fondit Kosovar të Garancisë Kreditore që na është bashkuar në këtë përpjekje jetike duke nënshkruar marrëveshjen prej 22,1 milionë euro! Roli juaj në shpërndarjen e këtyre fondeve të garancisë kreditore është thelbësor për rritjen e ekonomisë së Kosovës. Kjo nismë është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria gjermane nëpërmjet Bankës për Zhvillim KfW”, u tha në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.