Ushqimi në FSK – Osmani konfirmon takimin me Jasharin e Maqedoncin, nuk jep detaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar takimin me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bekim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, për situatën e krijuar sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së.

“Po jemi takuar dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm”, tha shkurt Osmani pa dhënë detaje.

Osmani ka kërkuar raport të detajuar nga komandanti i FSK-së. Kështu ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani. Gjithashtu, ai njoftoi se ka ftuar në takim komandantin e FSK-së dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Poashtu i ka ftuar në takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Jashari, por edhe Ministrin e Mbrojtjes Maqedonci. Presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional”, ka thënë Kupina.