“Lësho dorën, s’guxon me përdorë”: Lladrovci e shtyn Rahimajn, ia largon dorën Aliut

Televizioni Tëvë1 ka publikuar një video të re nga tensionet në mbledhjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës, ku shihet më qartë se si filloi përleshja që për pak nuk eskaloi në dhunë mes disa kryetarëve.

Fillimisht, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, shihet duke e shtyrë homologun nga Kamenica, Kadri Rahimaj e duke i thënë “shko, ulu”. Mësa duket, Rahimaj po shfaqte një pakënaqësi duke qëndruar afër tavolinës ku ishin ulur disa kryetarë të tjerë që po e drejtonin mbledhjen.

Disa persona ndërhyjnë dhe e shmangin përleshjen mes Lladrovcit dhe Rahimajt.

Më vonë, Lladrovci dëgjohet duke thënë me zë të lartë: “Na shumica kena vendosë, a kena vendosë shumica?”

Në pjesën tjetër të videos shihet një debat mes Lladrovcit dhe kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliu. Përderisa po fliste, Aliu ia vendos dorën në krah Lladrovcit, por ky i fundit ia largon atë, duke i thënë: “Veç lësho dorën poshtë, mu dorën mos ma qit.”

Aliu ia kthen: “Jo, dorën unë kurrë n’jetë nuk e kam përdorë.”

Lladrovci e vazhdon: “Jo bre, se s’guxon me përdorë, po lëshoje poshtë.”

“Unë e përdori arsyen” – dëgjohet duke thënë Aliu.

Më pas, Lladrovci i drejtohet kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, që me gjasë po e drejtonte mbledhjen: “Vazhdoje mbledhjen. Ose mshile, ose vazhdoje.”