Sot në Janjevë të Lipjanit është mbajtur panairi “Mirë se erdhët në Janjevë”, i organizuar nga UNDP-ja, ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Panairi, që u zhvillua në oborrin e xhamisë, ofroi ushqime tradicionale të përgatitura nga banorët lokalë, duke sjellë në pah kulturën dhe traditat e kësaj zone historike.
Gjatë hapjes së panairit, Kurti theksoi rëndësinë e investimeve që Qeveria e Kosovës po bën përmes tri ministrive, duke përmendur restaurimin e shtëpive në Janjevë si një projekt të rëndësishëm për rigjallërimin e qytetit. Ai u shpreh optimist për ndikimin e këtyre investimeve në zhvillimin e mëtejshëm të Janjevës, duke përmendur ceremoninë e dorëzimit të çelësave të një shtëpie të renovuar për një nga banoret.
“Këto projekte janë një tregues i angazhimit për ruajtjen e traditave dhe rigjallërimin e qytezës. Me urimin që çarshia të jetë plotë vizitorë,” tha Kurti gjatë fjalimit të tij.
Nga ana tjetër, shefi i UNDP-së, Nuno Queirós, shprehu shpresën se pas përfundimit të projekteve të renovimit, Janjeva do të tërheqë më shumë vizitorë. Ai falënderoi partnerët dhe Ministrinë e Kulturës për mbështetjen dhe përkushtimin e treguar në investimet e bëra në këtë komunë.
“Kemi punuar me muaj të tërë dhe besojmë që këto investime do të ndihmojnë në rritjen e numrit të vizitorëve në Janjevë,” tha Queirós, duke nënvizuar se UNDP do të vazhdojë mbështetjen e saj për këtë zonë.
Panairi përfundoi me një atmosferë pozitive, ndërsa vizitorët patën mundësinë të shijojnë jo vetëm ushqimet tradicionale, por edhe të njihen me projektet që po transformojnë Janjevën në një destinacion më tërheqës për turistët dhe banorët vendas.