“I civilizuar, intelektual, i pari në top listë”, Muharremaj flet për politikanët shembuj jashtë AAK-së

Kryetari i Komunës së Suharekës bëri thirrje që “të lihen inatet politike” ndërsa tregoi në #Gjesi në T7 disa politikanë që nuk i ka bashkëpartiakë në AAK, por që i vlerëson shumë.

Gazetarja Vjosa Haxhijaj e pyeti se cilët politikanë mund t’i konsiderojë shembuj, pavarësisht bidnjeve politike, ndërsa Bali Muharremaj nuk hezitoi t’i përmendte disa emra.

“Për shembull, rast konkret po e marrim, Avdullah Hoti. Një kryeministër i qetë, i mirë, i kulturuar, i civilizuar”, tha Muharremaj.

Ai tha se nuk i pengon dallimi partiak që t’i vlerësojë ashtu siç mendon ai figurat politike nga partitë tjera.

“E ke pasë një kohë edhe ministrin e Financave që sot është kryetar aktual i Mitrovicës (Bedri Hamza). Shumë i mirë, intelektual, profesionist”, tha Muharremaj.

Në listën e të vlerësuarve, ai e përmendi edhe kryetarin e Ferizajt, Agim Aliun dhe kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmetin.

“Qe edhe në Ferizaj, Agimi a është i PDK-së? Në top listë, i pari. Shkojmë në Lipjan. Imri Ahmeti i LDK-së, s’mund të them keq. Shumë mirë them”.

Muharremaj i përmendi edhe kryetarët e komunave nga AAK-ja, për të cilët tha se punojnë shumë.

“Mund ta marrësh sot Ardian Gjinin. Nuk di çka i mungon atij”, tha ndër tjerash ai.

Për kryetarin e partisë së tij, Ramush Haradinajn, Muharremaj tha se “ka kryer shumë punë të mira që kanë me mbetë në histori”.

Edhe vetë, tha se ka punuar shumë.

“Ka gabime”, tha ai, por shtoi se “gabimi më i madh është mos me bë kurrgjë për këtë vend”.

Muharremaj thotë se “nuk është me rëndësi kush e pren shiritin, kush po e përuron dhe kush po e vendos gurthemelin, por është me rëndësi me u kry punët”.

“Unë jam në një parti politike, por sot unë e mbroj interesin e qytetarëve dhe interesin e shtetit. Në momentin që zgjidhesh deputet, president, kryeministër, duhet me e këqyrë interesin e shtetit”, tha ai.