Intervistimi i Mihalit nga Specialja, Haradinaj: Po i ngushtohet rrethi mafisë energjetike

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas raportimeve që zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali po intervistohet nga Prokuroria Speciale, lidhur me dy raste të korrupsionit.

Haradinaj në reagimin e bërë në Facebook, ka shkruar se “po i ngushtohet rrethi Mafisë Energjetike”, tërthorazi duke iu referuar Mihalit.

“Veprimet e fundit të drejtësisë në Kosovë po i japin shpresë popullit për fuqinë e ligjit mbi të gjithë. Mafia Energjetike duhet të përballet me ligjin. Shteti ligjor dhe demokracia nuk dorëzohen para strukturave të dyshimta kriminale. Po i ngushtohet rrethi”, shkruan Haradinaj, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali është parë sot duke hyrë në objektin e Prokurorisë Speciale në Prishtinë.

Telegrafi nga burimet e veta ka mësuar se Mihali po intervistohet për dy raste që kanë të bëjnë më korrupsion.

Lidhur me intervistimin e Mihalit, Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, por që deri në publikimin e lajmit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje. /Telegrafi/