Arrestohet një mësimdhënëse në Pejë, dyshohet se mashtroi bujqit për aplikimin për subvencione

Një grua e dyshuar për veprën penale të mashtrimit është arrestuar sot në Pejë, pasi e njëjta dyshohet se ishte përfshirë në një rast të lajthitjes së bujqve lidhur me aplikimin për subvencione.

Sinjali ka mësuar se e dyshuara është mësimdhënëse në shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Ai konfirmoi se e njëjta është ndaluar për 48 orë dhe se ndaj saj tashmë veçse është ngritur aktakuzë.

“Është arrestuar një person për veprën penale mashtrimi. Me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 ore. Ndaj së njëjtës Prokuroria Themelore në Pejë javë më parë ka ngritur aktakuzë për veprën penale Mashtrimi”, ka thënë ai.