Ministri i Vuçiq: Disa nga masat për Kosovën do të fillojnë të zbatohen në nëntor

Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale i Serbisë Nemanja Staroviq tha se disa nga masat e miratuara nga Qeveria e Serbisë dje për “mbrojtjen e të drejtave të serbëve dhe interesave vitale shtetërore dhe kombëtare në Kosovë” do të fillojnë të zbatohen që në nëntor.

hotel-flower.com
“Kemi kërkesa të qarta drejtuar komunitetit ndërkombëtar, të cilat janë shumë të bazuara dhe të shpjeguara”, tha Staroviq, raporton RTS.

Siç tha ai, ajo paketë e masave, të cilën qeveria serbe e miratoi në seancën e djeshme, ka “dimension politiko-gjyqësor, por edhe social-ekonomik”.

“Fjala është për ndihmë prej 20 mijë dinarë për 5 mijë individë të rrezikuar, pra familje në Kosovë, si dhe për paga të plota prej 60 mijë dinarë për 300 të papunë shtesë”, tha Staroviq.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në institucione si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Duke u ankuar për gjendjen e serbëve pasi Kosova mbylli institucione parlaele të Beogradit në veri të vendit, Vuçiq në një adresim para kombit paralajmëroi se do të bëjë fushatë globale për përmbushjen e kërkesave të tij.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar, që t’i dënojë qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive e armiqësore të Vuçiqit.