Ky është hajni i arrestuar për vjedhjen në marketin ‘Vipros’ në Prishtinë, përfundon në mbajtje

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Marketet shumë shpesh janë cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje.

Për një rast të tillë që ka ndodhur në fund të muajit gusht, Policia ka arrestuar personin e dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.

I arrestuari dyshohet për një rast të vjedhjes, në marketin Vipros në Prishtinë, më 29 gusht.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi që u arrestua është Erkan Seferi, rreth 39-vjeçar.

Seferi po dyshohet për vjedhjen e produkteve ushqimore, që kapin vlerën e rreth 300 eurove.

Denoncimi i rastit nga përgjegjësit e marketit ka aktivizuar Policinë, me ç’rast i njëjti është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.