U investuan 1.3 milionë euro për të zgjidhur problemin e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, por duket se jo gjithçka ka shkuar mirë dhe tani duhet punohet sërish në stadiumin që ndodhet në zemër të kryeqytetit.
Para pak çasteve, FFK ka njoftuar se stadiumi do mbyllet për 25 ditët e ardhshme, pasi do punohet intensivisht për t’u rritja e barit natyral.
Si pasojë e kësaj mbyllje, FC Prishtina do mbetet pa stadium deri pas pushimit ndërkombëtar të muajit tetor.
Drejtori i FC Prishtinës, Artan Osmani ka folur në lidhje me këtë vendim, ku ka thënë se nuk është shumë shqetësuese, shkaku që klubit të tyre i bie ta luajë veç një duel jashtë “Fadil Vokrrit”.
“Stadiumi do të mbyllet për 25 ditë, ende nuk kemi marrë njoftim zyrtar, por vetëm i kemi parë ato postime në Facebook. Siç mund të kuptojmë ne do mbetemi veç për një lojë pa stadium si vendas, andaj nuk është shumë shqetësuese. Përderisa është bërë gjithë ai investim, atëherë mund ta pranojmë këtë vendim, pasi bëhet fjalë veç për një lojë”, tha Osmani për Blicin.
Kujtojmë se FC Prishtina këtë javë ballafaqohet me Ballkanin në Suharekë. Xhiron e ardhshme, FC Prishtina ballafaqohet me Dukagjinin, por ende nuk dihet se në cilin stadium, pasi “Fadil Vokrri” është mbyllur.
Më pas, Prishtina vazhdon kampionatin me Gjilanin, e tek në xhiron e 9’të pritet rikthimi në “Fadil Vokrri”.