Zelensky kërkon sërish leje për përdorimin e armëve me rreze të gjata për sulme brenda Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka kërkuar të hënën përsëri vendeve aleate ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë armët me rreze të gjata veprimi për të kryer sulme thellë brenda Rusisë.

“Ukrainën e ndan vetëm një vendim nga ndalja e përparimit të ushtrisë ruse në vijën e frontit, për të cilin ne po i presim partnerët tanë: vendimi për armët me rreze të gjata veprimi”, tha Zelensky gjatë një fjalimi para ambasadorëve ukrainas.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të Ukrainës kanë vendosur kufizime në përdorimin e armëve me të cilat e furnizojnë Kievin, për shkak të druajtjeve se mund ta përshkallëzojnë luftën.

Zelensky u tha gjithashtu diplomatëve se forcat ukrainase i kanë marrë nën kontroll 92 vendbanime në rajonin Kursk të Rusisë dhe se tani e kanë nën kontroll një territor të armikut me sipërfaqe prej 1.250 kilometrash katrorë.

Ushtria ukrainase e nisi një inkursion befasues në rajonin kufitar rus para dy javëve.

“Ushtarët ukrainas po i vazhdojnë operacionet e mbrojtjes në zona të caktuara të rajonit Kursk të Federatës Ruse”, tha Zelensky.

“Ne po vazhdojmë forcimin e pozicioneve tona, duke i stabilizuar zona të caktuara dhe duke mbushur fondin e këmbimit”, tha Zelensky duke iu referuar ushtarëve rusë që Ukraina i ka burgosur.

Operacioni është gjithashtu “investimi ynë më i madh në procesin e lirimit të ukrainasve nga robëria në Rusi. Ky është njëri prej synimeve tona”, theksoi ai.

Më herët, Zelensky tha në Telegram se forcat ukrainase janë duke i përmbushur synimet e tyre duke vazhduar me inkursionin në Kursk, ndërsa Moska e pranoi se Ukraina e ka dëmtuar urën e tretë mbi lumin Sejm, e cila është e rëndësishme për lëvizjen e trupave ruse në rajon.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.