Kosovari Nezir Mehmetaj ka disa ditë që po qëndron në Serbi, padyshim pa dëshirën e tij.
Mehmetaj i cili u detyrua të shkojë në Serbi për shkak të gjendjes shëndetësore të babait, u ndalua në pikën kufitare teksa po kthehej për në Kosovë.
Edhe pse kur hyri iu dhanë dokumentet që i mundësonin kthimin, Nezir Mehmetaj u morë nga autoritete serbe.
Madje atij iu shqiptua edhe masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Pavarësisht reagimit të autoriteteve kosovare dhe kërkesës së tyre për kthim të tij në Kosovë, një gjë e tillë nuk u bë.
Lidhur me gjithë këtë, Indeksonline ka kontaktuar vëllain e tij, Valon Mehmetaj.
Ai deklaroi se tashmë familjarët kanë vizituar atë në Serbi dhe se gjendja e tij fizike është e qëndrueshme.
Sipas vëllait të tij, Nezir Mehmetajt i janë caktuar tre avokatë, por të cilët që në fillim kanë kërkuar 10 mijë euro, shifër kjo shumë e lartë dhe e paarritshme që të mbulohet nga ta.
“Vizita tek Neziri është realizu, gjendja e tij shëndetësore është e mirë nuk ka ndonjë ankesë sa i përket sjelljes përbrenda, por që duhet me pas mbështetje nga institucionet tona domethënë me bë diçka për lirimin e tij për shkak se mos me mbajtë më gjatë se sa është paraparë, për shkak se po e paramendojmë se çka mundet me ndodhë aty brenda”, tha vëllai i Nezir Mehmetajt.
Madje ai theksoi se Nezirit Mehmetajt i është bërë presion psiqik gjatë intervistimit dhe se ai po mbahet në Qendrën e Mbajtjes në Beograd, e cila funksionin në kuadër të Gjykatës Speciale.
“Jo, janë mundu me marrë në pyetje e kanë marrë në pyetje realisht nuk e kanë mbajtë gjatë në intervistë, por forma e intervistës paraprake ka qenë më shumë presion psiqik se fizik.
I ka tre avokatë, dy janë boshnjak një serb janë me seli atje në Serbi, në Beograd. Neziri është në Qendrën e Mbajtjes në kuadër të objektit të Gjykatës Speciale. Ka qenë gruaja, ne meshkujt s’mundemi me qenë atje për shkak të rrezikshmërisë që e kemi por është shku edhe një i afërm , gruaja dhe vajza. Por brenda është leju me hy vetëm gruaja. Mesa kam informacione gruaja është lejuar vetëm 20 minuta të qëndrojë”, tha ai.
Valon Mehmetaj ka apeluar tek autoritetet kosovare që t’u gjinden në këtë situatë shumë të vështirë për Nezir Mehmetajn, por edhe për gjithë familjarët në përgjithësi.
“Avokatët i kanë kërku 10 mijë euro për fillim, por kjo kërkesë nuk është përfundimtare varet tash faza e parë, e dyta e qysh i kanë ata.E pasi nuk është çështja private apo akuza private diçka atëherë bëjmë apel që të kemi përkrahje e mbrojtje.Neve na vie keq si familje, por nuk kemi mundësi me dhënë kaq shumë parë është shifër shumë e madhe”, përfundoi ai.
Shpesh herë autoritetet serbe kanë provokuar kosovarët duke i ndaluar nëpër pikat kufitare, e rasti i fundit që ndodhi ishte ky i Nezir Mehmetajt./