Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar për akreditimin e parë të atasheve të mbrojtjes jorezident të Kosovës në disa shtete partnere.
Siç ka thënë Maqedonci gjatë këtij viti, për herë të parë, atashe të mbrojtjes janë akredituar në Slloveni, Kanada, Konfederatë të Zvicrës dhe Holandë.
“Vetëm gjatë një viti janë akredituar për herë të parë atashe të mbrojtjes jorezident në këto shtete: Slloveni, Kanada, Konfederatë të Zvicrës dhe Holandë. Përfaqësuesit tanë ushtarakë tanimë janë të pranishëm edhe në disa shtete të tjera me të cilat kemi bashkëpunim të shkëlqyer bilateral si në ShBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Turqi, Kroaci e Shqipëri, ndërsa në proces është akreditimi i atasheve në Itali, Japoni e Republikë Çeke,” ka njoftuar Maqedonci në një postim në Facebook.
Ai ka theksuar rëndësinë e këtij hapi për rritjen e kapacitetit diplomatik dhe operacional të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe partneriteteve strategjike.