Pas netëve të freskëta dhe ditëve tipike të ngrohta verore, java në vazhdim do të shënojë valën e tretë të të nxehtit afrikan për këtë vit, e shoqëruar me mot shumë më të ngrohtë se mesatarja dhe me temperatura maksimale që në disa zona në regjion, do të kalojnë edhe 40 gradë Celsius. Kjo valë e nxehtë dhe relativisht e gjatë, do të intensifikohet në fillim të kësaj jave dhe do të vazhdojë në fundjavën në vijim.
Sherif Gosalci, Parashikues Meteorologjik Aeronautik në Departamentin Meteorologjik – ASHNA, ka njoftuar se temperaturat maksimale në vendin tonë do të arrijnë në mes 34°C – 39°C, ndërsa minimalet do të luhaten ndërmjet 18°C – 23°C. Erërat do të jenë kryesisht drejtimesh të ndryshme e me shpejtësi nga 02 – 07 m/s.
Në përgjithësi qielli do të jetë i mbuluar me vranësira të pakta të cilat mund të shtohen në sasi orëve të pasditës.
Ky mot do të zgjerohet tutje në regjion e më gjerë në fillim të kësaj jave, me bllokimin e lartë që do të forcohet gradualisht nga rajoni i Mesdheut në Evropën Qendrore dhe Lindore drejt mesit të korrikut.