Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurve D.M. dhe H.B., për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të pandehurit L.V., për shkak të veprës penale ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit.
Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurit:
D.M. dhe H.B., i shpalli fajtor dhe të njëjtit i gjykoi për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me dënim burgimi secilin veç e veç në kohëzgjatje prej një viti (1) viti, si dhe dënim me gjobë secilin veç e veç në shumë prej pesëqind (500) euro.
Gjithashtu, Gjykata konform nenit 59 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.3 lidhur me nenin 62 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të pandehurve D.M. dhe H.B. i shqiptoi dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, për periudhë kohore prej një (1) viti, duke llogaritur periudhën kohore pas vuajtjes së dënimit si më lartë.
Si dhe të pandehurin L.V., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi për veprën penale ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit nga neni 347 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një viti (1) viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri në afat prej dy (2) vite, nuk do të kryer vepër penale nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, si dhe dënim me gjobë në shumë prej njëzet mijë (20.000) euro.
Ndërsa, konform nenit 363 paragrafi 1 nen paragrafi 1.3 të KPPK-së të pandehurit D.M. dhe H.B., janë liruar nga akuza, për shkak se nuk është provuar se kanë kryer veprat penale në bashkëkryerje keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprës penale në bashkëkryerje keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.
Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt./Telegrafi/