SHËN ARBËR (Gjergj Kastriotit në 550-vjetorin e vdekjes)

Poezi nga Hajdin Morina

Në këtë stinë tërmetesh
në dheun e drejtpeshimit tim,
Ti, Shën Arbër, kumt i mirë për Arbërinë.

550 vjet pas, emrin tënd e thithim me ajër
dhe të ndiejmë tek na rrjedh nëpër gjak, Shën Arb.

Ende me dritën tënde e verboj terrin e natës, Shën Arbër.
Me kroje Kruje bekoj lumin e jetës
që ma bart mbi shpinë varkën time
ngarkuar me dhimbjet, kujtimet
dhe me pak gjë tjetër nga kjo jetë, Shën Gjergj.

Nga Kruja i paskam këta lisa kaq të gjatë,
nga Kruja rrjedhin këto kroje që shërojnë plagë,
të Krujës i kam gurët dhe harqet e urës.

550 vjet pas, në dhimbjen e Kalabrisë,
në mallin arbëresh
dhe në dhimbjen kronike të Kosovës ti dhemb,
Kryezot i Arbërisë, Shën Gjergj.

Vetëm me ty në truallin tim ruaj emrin që unë të jem unë
dhe lart e ngre ballin e trupin tim, aq sa mund,
sepse dhimbja shekullore e vertebrës më dhemb shumë,
Imzot, Shën Arbër, rrënjë e rranjës.

550 vjet pas, nëpër Arbëri emri yt shumëzohet
nëpër djepa, nëpër këngë e nëpër besë si atëherë,
Kastriot, Skënderbe, Arbër, Gjergj.

Në këtë stinë tërmetesh
në dheun e drejtpeshimit tim,
Ti, Shën Arbër, kumt i mirë për Arbërinë.

(Njëra ndër poezitë e përzgjedhura për t’u lexuar
në manifestimin kulturor “Takimet e Gjeçovit” 2018 në Zym të Hasit)

KOKË E PRERË
Siluetë e tij me kokë të prerë
S’më lë të zgjohem nga gjumi ynë i rëndë
S’më lë të fle siç kam flerë
S’më hiqet nga koka
S’largohet nga Atdheu siluetë e tij me kokë të prerë.

Kur e takoj nëpër dhiare lart mbi male
Ma marrin orët gojën, çoç nuk mund t’i them
Luanit të Epirit, Aliut të Tepelenës, atij Pashe,
Trimit që Padishahun në Stamboll e çoi peshë,
Mizorit që grave të Sulit u bëri gjëmën,
Oh, ç’mynxyrë ishte ajo gjëmë, gjëmë e madhe për besë.

Ende nga malet e Zallongut në vesh më vjen e më vret ajo suferinë,
Ata hapa shkëmb të rëndë që i dhanë emër valles së vdekjes,
Lebetitjet e nënave që të vdisnin nuk donin në fund të honit
Pa i dhënë edhe një herë gji engjëllit të tyre, të voglit.

Ç’na bëri Aliu e ç’i bëmë ne atij?
Cili shenjtor ka varrin në dy kontinente?
As më thua Arbëri?

I thamë trim, mizor e i thamë dinak atij,
Po cili ishte rebel e kryengritës si ai?

Sulltan Mahmuti i Dytë kokën në pjatë ia donte
Si mbreti Herod kokën e Gjon Pagëzorit,
Aliu ishte kryengritja, ishte Rilindja,
Koka e tij e prerë- ogur i zi i Kombit.

FLAMURIN E KA MARRË MALLI

Flamuri kuqezi u ndal pak
mbi një pllajë
të qiellit tonë më të lartë,
i priti shokët
që nuk mund të vijnë,
ata që për liri kanë rënë,
ata që liria ia ka zënë peng.

Kohës së improvizuar
iu shembën supet
nga të kuqtë e rëndë
të flamurit kuqezi,
nga bjeshka e përmallimit të tij.

Kryeneç gjithsaherë, thanë karagjozët
për flamurin tonë që e ka marrë malli
për shokët.