Prend Buzhala shkruan për librin e autorit Sali Marmullakut “Historiku i futbollit në komunën e Klinës”

Sot në Klinë, në sallën e Shtëpisë së Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, u promovua libri monografik i Sali Marmullakut “Historiku i futbollit në komunën e Klinës”.

Pjesëmarrës ishin dashamirë të librit, veteranë të sportit e veteranë sportivë, si dhe përfaqësues të Komunës së Klinës, në emër të të cilëve përshëndeti kryetari Zenun Elezaj, i cili nënëvzoi se kjo është një ngjarje e rëndësishme, libër që mbledh nostalgji nga e kaluara si dhe është dëshmi nga të gjitha figurat që ka pasur komuna e Klinës dhe për të gjitha proceset e ngjarjet e futbollit.

Për librin ligjëruan Prend Buzhala e dr. Haxhi Ibishi. Moderoi: Valdon Maloku. U tha se ky libër ka rëndësi të veçantë për këtë komunë.

Promovimin e përcolli drejtpërdrejt Klina info.

Në lidhje me këtë ngjarje shkrimtari dhe publicisti Prend Buzhala ka shkruar një postim të gjatë në FB.

Ky është postimi i Buzhalës:

1.

Me Saliun kemi qenë shokë të gjeneratës së parë të gjimnazit “Luigj Gurakuqi” të Klinës. Që atëherë ai u dallua si futbollist, më saktësisht si portier në skuadrat klinase e më gjerë. Kësaj radhe, ai hyr një pune tejet me rëndësi dhe i doli mbanë me përkushtim.
Ky është libri i dytë me radhë i autorit Sali Marmullaku që i kushtohet sportit. Saliu ka botuar, deri më tash, në këtë moshë, tre libra. Kësaj radhe, vjen me librin “HISTORIKU I FUTBOLLIT NË KOMUNËN E KLINËS”. Historiku i futbollit komunal është thelbësor për kuptimin e identitetit dhe zhvillimit të futbollit në një mjedis të caktuar. Futbolli komunal reflekton identitetin e kësaj hapësire. Ekipet lokale dhe traditat e lojërave janë një pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të një zone. Përmes futbollit, njerëzit ndjehen të lidhur me vendin e tyre dhe ndërtojnë një ndjenjë të fortë të përbashkësisë. Ky historik i futbollit ndikon në mënyrën se si njerëzit e një komuniteti e shohin sportin dhe shëndetin fizik. Autori Sal Marmullaku na e dëshmon se trashëgimia dhe kujtesa sportive janë një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të një mjedisi. Na e dëfton përmes kujtimit të sukseseve dhe dështimeve në fushën e futbollit, se ky mjedis reflekton në identitetin dhe vlerat vetjake e kolektive të kësaj ane.
Është dëshmia se historia e kësaj ane nuk është vetëm luftë për liri e rezistencë, por edhe histori e arsimit, histori e kulturës, histori e e shëndetësisë apo e zhvillimit ekonomik, dhe, gjithsesi, edhe histori e sportit.
Kur autori i hyn këtij historiku, ai e nis edhe nga fillet e futbollit në këto anë. Përmendet shkrimi autorit të këtyre rreshtave: “ZLLAKUQANI, KUR MË 1916 U SOLL TOPI I PARË I FUTBOLLIT NË KOSOVË. Zllakuqani, duke qenë një vatër arsimi që më 1897, kur At Shtejfën Gjeçovi hapi shkollë shqipe këtu, kur po hapte dhe famullinë e kishës, u përmend një fakt domethënës: NË ZLLAKUQAN më 1916, u soll TOPI I PARË I FUTBOLLIT NË KOSOVË. Dëshmitë janë nga vepra e Mikel Gojanit “Mësonjëtorja e Zllakuqanit” (i botuar më 1997) dhe nga dëshmitarë-nxënës të asaj periudhe në këtë shkollë, që ishin dëshmitarë të gjallë deri në dekadat e fundit. Këto shpalime, rëndom, bëhen në turnetë sportive që organizohen në nderim të dëshmorit Kolë Miridita.” Mirëpo, që në fillim, autori shënon:
“Futbolli në Kosovë, sipas asaj që dihet deri më tash, ka filluar të luhet para Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht në vitin 1920 të shekullit të kaluar. Burime të ndryshme, në formë gojëdhënash thonë se topin e parë të futbollit, në Kosovë e kanë sjellë në Prishtinë, studentët nga Grenobla, qytet i ( Francës) në vitin 1919.” Sido që të jetë, ai vetëm ka ofruar të dhënat, kurse të tjerëve u mbetet që të gjurmojnë.

2.
Kujtimet e sukseseve historike të këtij vëllimi, përfshijnë tabelorë, histori të formimit të klubeve, emra ekipesh e lojtarësh, trajnerësh e gjyqtarësh të futbollit, emra veprimtarësh të sportit, profile lojtarësh ne drejtuesish të ekipeve “Malishgani”, “Dukagjini” e të ndonjë skuadre tjetër që u dallua ndër vite, siç janë Jagoda e Boksitet e Kosovës. Janë aty edhe ndeshjet e mëdha, kampionatet vendore dhe triumfet e klubeve komunale e që krijojnë kujtime të rëndësishme për këtë mjedis.
Klubet komunale janë s një pjesë e thelbësore e identitetit komunal. Ato përfaqësojnë më shumë se sa thjesht një skuadër sportive – ato janë një shpërthim i vlerave dhe identitetit të këtij komuniteti. Ndeshjet e rëndësishme kanë ndodhur në momente kritike të historisë, ashtu siç është, bie fjala, “Dukagjini” që bëhet kampion i Kosovës në kohë të vështira, kur sport luante një rol kyç si formë e rezistencës.
Nëpërmes këtij libri, lexuesi bindet se historia e futbollit e ka ndarë atë fat që e ka pasur Kosova. Bie fjala, kur na e ve përpara një tabelë ekipesh e rezultatesh të vitit 1942, aty shohim ekipet: TIRANA, VLLAZNIJA- SHKODËR, BERATI, SKËNDERBEU – KORÇË, DURRËSI, PEJA, PRISHTINA, ELBASANI dhe GJIROKASTRA (ishte koha e Luftës së Dytë Botërore), kurse para e pas kësaj lufte, do të mbizotërojnë emra sllavë që reflekton ripushtimin e Kosovës. Ndërkaq, në vitet ’90, ishte koha kur edhe sporti ishte shndërruar në lëvizje të rezistencës.
Me vlerë është ky shenj autorial i dokumentuar: “Kur flasim për Komunën tonë – Klinën, flasim dhe shkruajmë për futbollin, është shumë me rëndësi dhe interesante se në këto treva të komunës sonë kanë ekzistuar dy klube, apo ekipe futbolli para se Klina të shpallej Komunë më vete në vitin 1954. Do të thotë se menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në trevën e Klinës kanë ekzistuar disa komuna nëpër rrethe siç kanë qenë: Ujmiri, Dollci, Drenovci dhe Jashanica që deri në vitin 1954 i ka pasur zyrat e Këshillit Nacional Çlirimtar. Dhe në kuadër të këtyre komunave apo rretheve, konkretisht në Jashanicë, në këtë periudhë pas Luftës së Dytë Botërore, formohet nga të rinjtë e fshatrave përreth, një klub futbolli me emrin ‘Bratstvo-Vllaznimi’. Po në këtë periudhë, formohet edhe një klub futbolli në Jagodë me emrin “Jagoda”.”
Autor dokumenton emra lojtarësh shqiptarë në të dy ekipet.
Kapitulli i tretë i kushtohet KF “MALISHGAN”: “Sipas informacioneve nga disa njerëz të atyre viteve, del se në vitin 1967 është marrë një vendim nga strukturat e ndërmarrjes Malizhgan që të formohet një klub i futbollit të madh. Sipas këtyre njerëzve në vitin 1967 edhe zyrtarisht regjistrohet FK ‘Malizhgani’… Sipas të dhënave: në shtator të vitit 1969-1970 për herë të parë KF “Malizhgani” bënë gara të rregullta në Ligën e Kosovës”
Ky historik shpaloset nëpër vite e dekada, me tabelarë rezultatesh e ekipesh.
Në kapitullin IV kryesisht bëhet fjalë për KF “BOKSITI” – Klinë, i themeluar më 1986,jepen edhe profile shënimesh biografike sportive për lojtarë e veprimtarë sporti. Në kapitullin V bëhet fjalë për futbollin si rezistencë të viteve 1990-1999 dhe për historikun e Klubit të Futbollit “DUKAGJINI” i periudhës së paraluftës në Kosovë.
Në kapitullin VI bëhet fjalë për KF “Dukagjini” menjëherë pas luftës në vitet 1999-2000. Po ashtu, jepet një kronikë për futbollin e femrave të këtij qyteti, për shkollat e futbollit, për ekipi e futbollit të veteranëve të KF “DUKAGJINI”, për turneun memorial Rama-Domi, për Grupin e tifozëve, Tifozët e KF Malishgan, para lufte e pas saj etj.
Kah fundi i librit autori shënon: “Kjo monografi po botohet për të ruajtur dhe ndriçuar një periudhë kohore 80-vjeçare të zhvillimit të futbollit në Komunën e Klinës. Këtë rrugëtim 80-vjeçar të futbollit të Klinës nuk do të ishte e mundur të dilte në dritë pa ndihmën e njerëzve, dëshmitarëve, kronistëve të ngjarjeve të futbollit në Komunën e Klinës. Nuk do të kisha mundur të arrijë pa ndihmën e arsimtarëve të edukatës fizike, veteranëve të futbollit dhe të tjerëve, të cilët bënë çfarë është e mundur për të ndihmuar në zhvillimin e futbollit Vlerën e këtij libri – monografie, e rritin fotot, dokumentet, materialet e dëshmitarëve të ngjarjeve të asaj kohe të ruajtura nëpër arkivat personale të kësaj armate të lojtarëve ndër breza.”

3.
Libri që na ofron fotografitë e ndeshjeve, tifozëve, lojtarëve dhe stadiumeve lokalë e komunalë, janë dëshmi të rëndësishme të historisë së futbollit. Ato shërbejnë si dokumente vizuale që e bëjnë të mundur për brezat e ardhshëm të shohin si ishin evenimentet futbollistike në komunën e tyre në të kaluarën. Kjo kujtesë vizuale ndihmon në ruajtjen dhe përforcimin e historisë së futbollit komunal, si dhe në mbajtjen e lidhjeve të forta midis brezave të ndryshëm dhe kulturës së futbollit në komunitet komunal.
E, pra, rëndësia historike e dokumentare e këtij libri është e shumëfishtë e me rëndësi të shumëfishtë. Kujtimet personale të tifozëve, lojtarëve, trajnerëve dhe zyrtarëve të klubeve lokale, të ofruara në trajtë informacionesh, pa përmasën e rrëfimeve, janë gjithashtu një burim i rëndësishëm për ta dokumentuar historinë e futbollit klinas. Disa artefakte si bileta, uniforma, medalje dhe materiale promovuese (si postera dhe fletushka) janë dëshmi të rëndësishme të historisë së futbollit. Kjo do të thotë që nesër vërtet Klina ta ketë një muze të sportit, me artefakte që janë ruajtur për t’i ekspozuar në muzeun komunal ose edhe në arkiva private, duke ofruar një pamje më të qëndrueshme të kujtesës së futbollit komunal. Me kalimin e kohës, historitë, kujtimet dhe traditat e futbollit lokal fillojnë të humbasin. Një muze i futbollit lokal do të ishte një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes dhe dokumentimit të kësaj trashëgimie të çmuar.
Saliu ka një libër të tërë me titullin “Magjia e futbollit”. Saliu, edhe te ky libër, nuk iu reshtet ndjenjave të forta dhe emocioneve të thella që shkakton kjo lojë. E, pra, autori ka arritur ta kapërcejë aspektin fizik të lojës së futbollit dhe të arratiset në botën e mrekullisë dhe magjisë që ajo mund të krijojë, nëpërmes shkrimit historik. Dëshiron që edhe këtu të na i sjellë lojtarët, si dhe tifozët, që ishin dhe janë të mbushur me emocione në momente të tilla. Dëshiron që t’u bëjë një homazh ndermi tifozëve e sportistëve nëpër dekada, t’i ringjallë ato momente, kur topi lëviz dhe ekipi i tyre shkëlqen, për ta krijuar atë ndjenjë të vërtetë mrekullie dhe magjie për ta. Kjo është ajo çka bën futbollin një sport të mrekullueshëm dhe emocionues – aftësia për të krijuar momente magjike që mbeten në kujtesë dhe zemra përjetë.