Tre persona kanë mbetur të plagosur mbrëmë në Pejë pas një përleshje që ndodhi në afërsi të një furre në këtë qytet. Për motive akoma të panjohura, viktimat, babai me dy djemtë u qëlluan me armë zjarri, ndërsa i dyshuari ka ikur. Policia dhe Prokurori i Shtetit kanë nisur hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e personit të dyshuar.
“I dyshuari kryesor është ende në arrati. Ai tashmë është i identifikuar policia po punon për kapjen e tij”, i tha për Gazetës Sinjali prokurori i rastit, Ersan Qavolli.
Qavolli po ashtu ka njoftuar se për rastin e mbrëmshëm në Pejë, është arrestuar një person tjetër i cili dyshohet për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.
Kush është Agron Gashi?
Agron Gashi, i cili është nga fshati Ozdrim i Pejës, ka të kaluar kriminale, të pasur me plot vepra penale, që dyshohet se i ka kryer në vazhdimësi.
Jo më larg se në dhjetorin e vitit të kaluar, Gashi e kishte goditur me veturën e tij një zyrtar policor që ishte në detyrë.
Menjëherë pas akitit, siç kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, Gashi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, dhe më pas e kishte braktisur veturën, për t’u arratisur, me qëllim që të shpëtojë nga prangat.
Për rastin ndaj policit, ai rëndohej me veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”
Por, ky dhe rasti i mbrëmshëm, nuk janë veprat e vetme të tij.
Gashi, që është vetëm 21-vjeçar, ka qenë subjekt i hetimit për veprat si “Kanosje”, “Dhunë në familje”, “Armëmbajtje pa leje” e raste të ndryshme të “Lëndimit trupor” – incidente në të cilat është përfshirë në vazhdimësi.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/