Ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se kundërshtitë e banorëve të fshatrave Rixhevë, Gllarevë dhe Stapanicë të Klinës, nuk mund t’i ndalin punimet
Ministri i MMPHI-së, ka thënë se diskutimet për devijimin e kësaj rruge me banorët e kanë bërë para se projekti të vendoset në prokurim dhe se Ministria ka pasur takime të vazhdueshme me ta duke shqyrtuar variantet edhe problemet që dalin nga devijimi i rrugës.
Ai ka thënë se varianti i cili është marr për bazë është më optimali dhe se ky devijim nuk është bërë për çështje politike, por sipas tij, për çështje teknike.
“Të gjitha diskutimet gjatë kohës sa është vendos, para se të vendoset prokurimi janë kryer, ka pasur takime të vazhdueshme tek Ministria Infrastrukturës me zv.ministrin i cili aspektin teknik e njehë shumë mirë të situatës edhe i ka shqyrtuar edhe variantet edhe problemet që dalin nga devijimet e rrugëve. Varianti cili është marr për baze është konsideruar varianti më optimal dhe kjo është çështje teknike nuk është çështje politike”, ka thënë ai.
Aliu ka thënë se me banorët tani mund të bisedohet se çka mund të kihet parasysh gjatë ndërtimit të rrugës dhe se tani punimet kanë filluar dhe se ato nuk mund të ndalen.
“Unë mendoj se çështja e ndërtimit të rrugës është vendos edhe laborati i shpronësimit edhe rregullat e shpronësimit edhe krejt, marrëdhëniet me ta mbase mund të diskutohet se çka mund të kihet parasysh gjatë ndërtimit. Po kontratat janë nënshkruar punimet kanë filluar, ato nuk mund të ndalen”, ka thënë ai për Ekonomia Online
Gjatë kësaj javë tre persona janë arrestuar gjatë protestave në kundërshtim të këtyre punimeve, e lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarë policorë dhe dy të dyshuar.