Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit për Pjetër Shalën.
Vendimi është marrë më 18 mars 2024 nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Paneli përmes kësaj: a. URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit; b. URDHËRON ZPS-në dhe avokatin e viktimave, nëse dëshiron, të paraqesin parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se e premtja, 3 maj 2024; c. URDHËRON mbrojtjen që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se e premtja, 10 maj 2024; dhe d. VENDOSET që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe avokati i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se e marta, 14 maj 2024”, thuhet në vendim.
Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se Paneli ka konstatuar se ekziston rreziku për pengim të procesit të procedurave pranë DhSK-së si dhe rreziku për kryerjen e krimeve të mëtejshme nga i akuzuari.
Ndërsa, sa i përket lirimit në arrest shtëpiak e cila ishte kërkesë e mbrojtjes së të akuzuarit, Paneli ka konstatuar se në atë mënyrë nuk mund të ofrohet monitorim efektiv i komunikimeve të tij.
Sipas tyre, kjo gjë është e mundshme vetëm në objektet e paraburgimit në DhSK.
“Në këtë drejtim, Paneli rikujton konsideratat e tij të mëparshme në lidhje me lirimin me kusht, duke përfshirë vlerësimin e tij për kushtet alternative të propozuara nga mbrojtja. Në mënyrë të veçantë, duke pasur parasysh faktorët e rrezikut të identifikuar më lart, Paneli konsideron se kushtet e propozuara nga mbrojtja, duke përfshirë vendosjen e të akuzuarit në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Belgjikë: (i) nuk trajtojnë mundësinë që i akuzuari të përdorë pajisje komunikimi që i përkasin të tjerëve ose duke u kërkuar të tjerëve që të përdorin pajisjet e tyre për këto qëllime; dhe (ii) nuk mund të sigurojë monitorimin efektiv të komunikimeve të të akuzuarit. Përkundrazi, garanci dhe masa të tilla janë të mundshme vetëm në objektet e paraburgimit të DhSK-së”, thuhet në vendim.