Komuna e Klinës, respektivisht, Zyra për Barazi Gjinore në bashkëpunim me zyrën për Komunitete dhe Kthim, me rastin e shënimit të 8 Marsit- Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kanë mbajtur një sërë aktivitetesh, ku morën pjesë nënkryetarja e komunës së Klinës, znj. Marqe Tanushi-Selmanaj, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Fatjona Gashi, zyrtarja për Barazi Gjinore, znj. Vitore Shala, zyrtarja për Komunitete dhe Kthim, Silvia Rashkoviç, mësimdhënëse e nxënëse nga shkollat e komunës së Klinës, përfaqësuese nga Policia e Kosovës, gra përfaqësuese nga asambleja komunale, përfaqësues nga KFOR-i, gra përfaqësuese nga jeta politike dhe media.
Programi ka filluar me vendosjen e luleve tek varri i Shpresa Krasniqit – Simbol i rezistencës dhe ruajtjes së nderit, duke vazhduar me defileun e grave pjesëmarrëse nga institucione të ndryshme me lule tulipan nëpër qytetin e Klinës dhe në fund u mbajt program artistik me valle, këngë, paraqitje nga ekipi e KFOR-it Italian, recitale e performanca të tjera me instrumente muzikore.
“Dita Ndërkombëtare e Gruas është kthyer në një simbol të veçantë për nënat dhe vajzat. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në disa dekada.
Kjo ditë gjithashtu na fton të reflektojmë për rolin e femrës në shoqëri dhe për çështjet që ne do t’i shtyjmë përpara, gjithmonë të bashkuara” – ka thënë nënkryetarja Selmanaj me një fjalë rasti gjatë këtyre aktiviteteve.