Hajdin Morina Viti 1981

1981

Viti 1981
Ka filluar më 11 mars ditën e mërkurë
Në Qendrën e Studentëve të Universitetit
Të Prishtinës

Viti 1981 nuk ka mbaruar më 31 dhjetor
Siç kishin paraparë ata që i bënë gjyqin
Ata që e akuzonin të 1913-ën të 1945-ën
Pse nuk paskan projektuar më shumë robëri
Për vitin 1981

Nuk na nxinte burgu të gjithëve
As objektivi i fotoaparateve të udbashëve
Studentët vinin lumë nga kohë e shkuar
Lumë vraponin drejt ditëve të ardhshme

Në vitin 1981
Që ka filluar më 11 mars
Dhe nuk ka përfunduar më 31 dhjetor
Siç kishin paraparë ata që i bënë gjyqin

(Këtë poezi me shifrën “1981” juria e vlerësoi me çmimin e dytë në konkursin letrar të manifestimit kulturor tradicional “Flaka e janarit” 2011 në Gjilan.)

2024

Sot vetëm në dritën e syrit që nuk lëviz
ti je ajo e bukura e atij marsi Republikë.

Nuk ta shoh tash fytyrën që na jepte kurajë
gjatë seancave mizore të torturave zyrtare
me vetëm një pikë në rend dite:
“Shpartallimi i armiqve”.

Vetëm në qiellin e syrit që s’lëviz qerpik
ndiej si çelin bulat e atij marsi Republikë.

Tash sa vjet malli më dogji e malli më djeg
për atë mars uragan e për tënden fytyrë
në “parullën armiqësore” Kosova Republikë!

SË PAKU KUR HYN MARSI

Së paku kur hyn marsi
duhet të besoni
se Marsi është
Promete i atdheut
e Zeusi s’ka ç’i bën
as tash, as atëherë.

NGA KUJTIMET E MARSIT 1981

Po fryn marsi,
prandaj heshtni o njerëz
ta dëgjoj vajin e vajzave të konviktit numër 5,
të shtrira nën kërbaç të udbashëve shqiptarë,
heshtni të më marrë me vete varka e lotëve
varka e dhembjeve të njerëzve
për ca nga to që s’u bënë nëna kurrë
nga gjithë ajo mynxyrë nga gjithë ajo torturë.