Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme nga partnerët e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Drenas, ku një burrë ka përfunduar në Polici si i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në fshatin Komoran, ku një burrë po dyshohet se e ka kërcënuar bashkëshorten e tij, ndaj të cilës edhe ka ushtruar dhunë fizike e psikike.
Sinjali mëson se i dyshuari e ka përplasur për muri bashkëshorten e tij, të cilën e ka kanosur fillimisht se do t’ia vras vëllezërit, e më pas e ka kërcënuar me vrasje edhe atë.
Viktima ka arritur të ikë nga shtëpia dhe më pas rasti është denoncuar në Polici.
Si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit për veprën penale ‘Kanosje’.