Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë në Shqipëri dhe Gjermani në periudhën 14-17 shkurt.
Kështu ka bërë të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit, teksa theksoi edhe arsyen e vizitës.
“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken do të udhëtojë në Tiranë, Shqipëri dhe Mynih, Gjermani, nga 14-17 shkurt. Në Tiranë, Sekretari Blinken do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Në Mynih, Sekretari Blinken do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut si pjesë e delegacionit të SHBA-së të kryesuar nga Zëvendës Presidentja Kamala Harris. Sekretari do të zhvillojë takime dypalëshe për të nënvizuar mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, për të vazhduar diskutimet me partnerët se si të arrihet paqe dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin tonë të palëkundur për sigurinë transatlantike. Sekretari Blinken do të bashkohet gjithashtu me partnerët ndërkombëtarë për një forum publik mbi multilateralizmin”, thuhet në njoftimin e DASH.