Ky është hetuesi i Policisë që u zu në flagrancë nga IPK duke i marrë 1000 Euro ryshfet

Bekim Hyseni, hetuesi i Policisë së Kosovës është arrestuar sot nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Identitetin e tij e kanë konfirmuar burime të gazetës online Reporteri.net brenda autoriteteve të sigurisë.

Hyseni ka shërbyer si hetues në stacionin policor në Komunën e Obiliqit.

Ai është kapur sot në flagrancë nga hetuesit e IPK-së duke i marrë një mijë euro ryshfet nga një qytetar, të cilit ia kishte kërkuar për të ia mbyllur një rast.

Arrestimin e tij e ka bërë të ditur përmes një komunikate edhe IPK.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Marrje ryshfeti”. Hetuesit e IPK-së kishin filluar kohë më parë hetimet për këtë rast me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin e Krimeve të Rënda. Pas disa veprimeve hetimore duke përfshirë edhe hetimin me masa të fshehta hetimore, sot rreth orës 17:00 nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Obiliq zyrtari policor (hetues në Stacionin Policor në Obiliq)”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Sipas tyre, nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 Euro për të interferuar në hetimet e një rasti penal. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.”, thuhet në njoftim./