Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka vlerësuar përpjekjet e institucioneve të Kosovës për përshpejtim të rritjes ekonomike të vendit, megjithatë, kjo odë thotë se këto përpjekje vijojnë të kenë efekt të limituar në rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Në rrethana të tilla, Oda Amerikane vlerëson se imazhi që gëzon Kosova dhe mungesa e një qasje proaktive në promovimin e mundësive për tërheqje të investimeve janë ndër faktorët që pamundësojnë transformimin rrënjësor ekonomik të Kosovës.
“Oda Amerikane beson fuqishëm që Kosova duhet të lirohet sa më shpejtë që është e mundur nga diskursi i konfliktit dhe jostabilitetit. Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave i cili përmend Kosovën si njërën nga dhjetë vendet me rrezik për konflikt vdekjeprurës ose eskalim gjatë vitit 2024, rëndon më tej perceptimin negativ mbi Kosovën, e që pamundëson tërheqjen e investimeve cilësore të huaja. Institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë rëndësinë e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë, si thirrje e vazhdueshme edhe e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Odës Amerikane.
“Si avokuese e fuqishme e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, Oda Amerikane vlerëson pozitivisht hapat e ndërmarrë nga Kosova dhe nga Serbia së fundmi për njohjen e targave të veturave, duke vlerësuar se hap tjetër me rëndësi do të ishte largimi i barrierave në tregtinë ndërmjet të dyja shteteve, duke i hapur rrugë zhvillimit të përshpejtuar ekonomik. Prandaj, Oda Amerikane përsërit thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që të largojë masat aktuale të cilat ndalojnë hyrjen e produkteve finale nga Serbia, të cilat kryesisht godasin interesat komerciale të shteteve partnere të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Largimi i barrierave tregtare do ta bënte Kosovën më tërheqëse për investitorët e huaj, meqë ata konsiderojnë mundësitë të cilat u ofrohen nga qasja në tregje më të mëdha dhe përfitimi nga ekonomitë e shkallës në prodhim dhe distribuim”, thuhet tutje.
Oda Amerikane rikujton se në tri dekadat e fundit, Kosova ka bërë një kapërcim të madh, dhe kjo falë bashkërendimit të përpjekjeve të saja me partnerët ndërkombëtar, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
“Prandaj, bashkërendimi i mëtejmë i të gjitha synimeve që kanë për qëllim fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës duhet vijojë të bëhet në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar, e kjo përfshin edhe zbatimin e Rregullores së miratuar së fundmi nga Banka Qendrore e Kosovës për Operacionet me Para të Gatshme, si dhe kërkesa për shtyrjen e dispozitave të saj të caktuara, me qëllim të lejimit të përgatitjeve të nevojshme për zbatim dhe eliminimit të pasojave të mundshme negative”, shton kjo odë.
Në frymë të komunikimit e të bashkëpunimit, Oda Amerikane u kërkon institucioneve të degëve legjislative e ekzekutive të Republikës së Kosovës që të promovojnë dialogun e sinqertë publiko-privat, si mjet të rëndësishëm për formulimin dhe zbatimin e politikave, rritjet dhe zhvillimin ekonomik, reformat rregullative dhe efikasitetin e tyre, si dhe rritjen e besimin publik në qeverisje.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane bënë thirrje për adresimin e rekomandimeve të mësipërme, për të arritur ndryshim rrënjësor në mirëqenien dhe performancën e një shteti, përfshirë bruto produktin vendor, indeksin e zhvillimit njerëzor dhe indeksin e konkurrueshmërisë globale.