Kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri në ditën kur edhe parashihet të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së shatë të Kuvendit të Kosovës.
Pavarësisht kësaj, koalicioni Vetëvendosje-LDK ende nuk është arritur.
Edhe pse anëtarë të shumtë të këtyre dy partive filluan mbarë takimet e ngjashëm i vazhduan edhe liderët Kurti dhe Mustafa, marrëveshja e mundshme për koalicionin qeverisës nuk po arrihet ende, shkruan Indeksonline.
Tashmë kanë kaluar më shumë se dy muaj nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, por Kosova vazhdon të jetë nën qeverisjen e vjetër të Ramush Haradinajt, i cili dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit pas ftesës që iu bë për t’u paraqitur para prokurorëve të Gjykatës Speciale.
LDK dhe VV kanë vazhduar për disa ditë radhazi diskutimet lidhur me ndarjen e ekzekutivit, gjë që siç duket edhe po shkakton mospërshtatje të ideve se si pritet të funksionojë kjo qeverisje e re.
Pavarësisht insistimit nga LDK për të udhëhequr me postin e Presidentit të Kosovës, këta të fundit nuk kanë përmendur ndonjë emër specifik duke thënë se do ta bëjnë publik kur të vie momenti i duhur në vitin 2021.
Por Vetëvendosje vazhdon të kundërshtojë mundësinë e marrjes së postit të presidentit nga partia e Mustafës.
Mospajtimet e këtyre dy partive për ndarjen e posteve kanë lënë vendin ende nën pritje të qeverisje së re, teksa duhet përkujtuar që kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të këtij viti.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi para pak ditëve thirri seancën konstituive, ndërsa Kryesia e vjetër e Kuvendit të Kosovës ka bërë tashmë përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e saj.
Legjislatura e shtatë e Parlamentit të Kosovës pritet të ketë mjaftë ndryshime. Përpos renditjes së partive, ndarjes së ulëseve e emrave të rinj, partive do t’u mungojnë edhe disa prej emrave më të mëdhenj partiak. Edhe pse ishin pjesë e Kuvendit të Kosovës për disa legjislatura radhazi, këtë herë shumë emra të njohur politik nuk do të kenë të rezervuar ulëse në Parlament.
Se si saktësisht do të duket legjislatura e re mbetet të shihet të enjten, seanca e cila do të udhëhiqet nga më i vjetri i Kuvendit, Jahja Koka si dhe më e reja, Fjolla Ujkani. Dyshja do të hapin seancën dhe do ta udhëheqin atë deri në zgjedhjen e Kryetarit të Ri të Kuvendit./