Është mbajtur ceremonia përkujtimore me rastin e katër vjetorit të rënies së heroit Sami Thaçi, veteran i luftës dhe ish zyrtar policor, i cili ra në krye të detyrës në Zhur të Prizrenit, gjatë një bastisjeje në një shtëpi.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë veteranë të UÇK-së, pjesëtarë të Policisë, politikanë si dhe miq e familjarë të të ndjerit.
I pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati i cili në fjalën e tij të rastit tha se Thaçi mbrojti ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit.
”Ju e nderuar familje e Sami Thaçi, sot dhe sa të jetë Kosova, ndihuni krenar për birin tuaj që përmbushi detyrat madhore dhe kombëtare për luftën çlirimtare të Kosovës që u rreshtua si i ri bashkë me shokë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si dhe pas lirisë së Kosovës, mori detyra në policinë e Kosovës, që do të thotë, vazhdoi sigurinë, lirinë, jetën dhe lëvizjen e qytetarëve, ku do në territorin e Republikës së Kosovës si dhe me përkushtim mbrojti ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit, deri sa ra edhe në krye detyrës për këto qëllime dhe parime njerëzore e shtetërore për qytetarët e vet, përfundoi Kastrati”, u shpreh ai.