Zyra Federale e Statistikave ka publikuar këtë javë anketën vjetore strukturore. Ky është sondazhi më i madh i popullsisë dhe strukturës së familjeve, që bëhet në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Shtetësia e dyfishtë ishte ndër çështjet kryesore që ka marrë në trajtim kjo anketë.
Dhe, ajo që është zbuluar është se rreth 20 për qind e popullsisë rezidente zvicerane (1.095 milion njerëz) kishte shtetësi të dyfishtë në vitin 2022. Nga këta, rreth 65 për qind kanë marrë pasaportën zvicerane përmes natyralizimit dhe 35 për qind kanë marrë nënshtetësinë zvicerane në lindje.
Anketa tregon se dhjetë grupet më të përfaqësuara më së shpeshti kanë marrë nënshtetësinë zvicerane përmes natyralizimit, shkruan watson.ch. Dhe, ajo që ne mund të na interesojë më së shumti është se përmes kësaj rruge janë natyralizuar më së shumti ballkanasit.
Ndërsa fare në krye të listës në këtë pikë janë njerëzit nga Kosova. Ata, në 94 për qind të rasteve kanë marrë pasaportën zvicerane me natyralizim dhe vetëm në 6%, me lindje, transmeton albinfo.ch. Pas kosovarëve vinë shtetasit e Serbisë me 90 për qind dhe ata nga Maqedonia e Veriut të cilët po ashtu në 90 për qind të rasteve janë “zviceranizuar” më vonë, pra jo me lindje. Në vazhdim, me 85% vinë në radhë shtetasi e Turqisë dhe ata të Portugalisë.
Qytetarët e dyfishtë zvicerano-francez janë i vetmi grup që ka marrë nënshtetësinë zvicerane më shpesh në lindje (57 për qind) sesa përmes natyralizimit (43 për qind).
Përqindja e shtetasve të dyfishtë ndryshon në varësi të kantonit. Kështu, në Gjenevë është më e larta me 48 për qind, përcjell albinfo.ch. Kantoni Obwalden ka numrin më të ulët të shtetasve të dyfishtë me vetëm pesë për qind. Në Kantonin e Cyrihut 24.9 % të njerëzve kanë shtetësi të dyfishtë. Ngjashëm është edhe në kantonet tjera të mëdha.