Gjashtë milionë hebrenj mendohet të kenë shfarosur nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore: Një pakicë e vogël arriti të gjente shpëtim në Shqipëri.
Ish-ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Borchardt, shpjegon sfondin.
Ai tregon se ka gjetur një shënim në Arkivat e Ministrisë së Jashtme gjermane, ku thuhet se, në shtatorin e vitit 1943, gjatë një takimi mes përfaqësuesve të lartë të Gestapos dhe Ministrisë së Jashtme gjermane ishte marrë vendimi që Shqipërisë të mos i bëhej presion për deportimin e hebrenjve, “sepse shpresonin që Shqipëria të mbetej vend besnik”.
“Por kjo politikë u ndryshua në pranverën e vitit 1944, kur u bë e qartë se Gjermania do të tërhiqej nga Ballkani. Aty gjermanët filluan t’i kërkonin vetë hebrenjtë në Shqipëri”, tha mes tjerash në një intervistë për DW, ambasadori Borchardt.
Intervista e plotë:
Deutsche Welle: Zoti Ambasador, Shqipëria konsiderohet i vetmi vend evropian që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj se para Luftës së Dytë Botërore. Nga erdhën këta hebrenj?
Bernd Borchardt: Sipas të dhënave nga Shqipëria, në vitin 1937 kishte 191 hebrenj, ndërsa pas Luftës, ishin rreth 2280. Ekziston një listë nga Ministria e Jashtme gjermane me emrat e 85 familjeve hebreje nga Gjermania e atëhershme, ku përfshihej edhe Austria. Një numër i madh vinte edhe nga ish-Jugosllavia, Serbia dhe nga ajo që sot quhet Maqedonia e Veriut, por dhe shumë nga Kosova.
Deutsche Welle: Si ndodhi, që hebrenjtë zbuluan Shqipërinë si vend shpëtimi?
Bernd Borchardt: Sipas informacioneve të të birit, Mbreti Ahmet Zog i kishte porositur konsullatat dhe ambasadat qysh në vitin 1938, pas pogromit kundër hebrenjve në të ashtuquajturën Nata e Kristaltë, që të gjithë hebrenjve që kërkonin viza në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në Evropë, t’u jepeshin viza. Në këtë mënyrë mendohet të kenë mbërritur rreth 400 hebrenj në Shqipëri. Por shumica e tyre vijuan udhëtimin e tyre në Palestinë, në ShBA, e deri në Amerikën e Jugut.
Deutsche Welle: Megjithatë, hebrenjtë nuk u denoncuan as pas ikjes së Zogut, e as pas ardhjes së Gjermanëve. Si e shpjegoni ju këtë?
Bernd Borchardt: E veçanta e Shqipërisë është se nuk ishin vetëm njerëzit që ndihmuan e strehuan hebrenjtë, por edhe qeveria shqiptare, e cila refuzoi t’i dorëzonte nazistëve listat e hebrenjve. Edhe kur italianët kapitulluan, në vjeshtën e vitit 1943, kishte një udhëzim të firmosur nga Ministri i Brendshëm, që kur të vijnë hebrenj nga jashtë, atyre t’u jepen pasaporta shqiptare me emrat që dëshirojnë ata.
Deutsche Welle: Gjermanët e dinin se në Shqipëri kishte hebrenj, përse nuk ushtruan presion ndaj qeverisë kolaboracioniste të asaj kohe?
Bernd Borchardt: Unë kam gjetur një shënim në Arkivat e Ministrisë së Jashtme gjermane, ku thuhet se, në shtatorin e vitit 1943, gjatë një takimi mes përfaqësuesve të lartë të Gestapos dhe Ministrisë së Jashmte Gjermane ishte marrë vendimi që Shqipërisë të mos i bëhej presion për deportimin e hebrenjve, sepse shpresonin që Shqipëria të mbetej vend besnik. Por kjo politikë u ndryshua në pranverën e vitit 1944, kur u bë e qartë se Gjermania do të tërhiqej nga Ballkani. Aty gjermanët filluan t’i kërkonin vetë hebrenjtë në Shqipëri.
Deutsche Welle: Dhe dy familje u deportuan?
Bernd Borchardt: Po, dy familje u deportuan, prej të cilave mbijetoi vetëm njëra. Sipas hulumtimeve tona, njëra prej këtyre familjeve u tradhtua nga një shqiptar. Familja tjetër ndihej aq e sigurt në Shqipëri, sa nuk kujdesej fare, dilte hapur në rrugë dhe kështu ra në sy të gjermanëve.
Deutsche Welle: Në Kosovë historia ishte pak më ndryshe, apo jo?
Bernd Borchardt: Po, në Kosovë historia është krejtësisht ndryshe. Edhe aty ka pasur shumë kosovarë që kanë shpëtuar hebrenj. Kanë qenë serbë, shqiptarë, romë. Një grua rome pati fshehur një fëmijë hebre nga Kosova. Në Manastirin e Letnicës janë strehuar disa fëmijë. Por nga shënimet e ushtarëve të Vermahtit ka dëshmi për dëbimin e më shumë se 1000 hebrenjve nga Kosova. Shumica u deportuan në Bergen-Belsen. Një numër i madh u dërgua në Vjenë. Kishte një kamp në qendër të qytetit të Vjenës që quhej “Kampi i shqiptarëve”. Ato ishin viktima të divizionit Skënderbeu. Ka patur afro 600 deportime nga Kosova. Fati i hebrenjve në Kosovë është hulumtuar pak. Ka disa botime përgjithësuese që janë edhe paksa disi romantizuese kombëtare dhe që supozojnë se hebrenjtë në Kosovë mbroheshin njësoj si në Shqipëri, por kjo nuk është e saj. Por ajo që kemi kuptuar ne, është se numri i shqiptarëve që kanë ndihmuar hebrenjtë është shumë i më i lartë se 78 emrat që ndodhen në Yad Vashem.
Bernd Borchardt është ambasador në pension. Ai ka qenë shef i misionit të OSBE-së në Shqipëri, dhe shef i EULEX-it në Kosovë. Borchardt mbështet prej vitesh një projekt të Organizatës së Studentëve Shqiptarë në Gjermani (OASA) për historinë e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri. Projekti synon të vetëdijesojë bijtë e migrantëve shqiptarë në Gjermani për historinë e prejardhjes së tyre. /DW