Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë do të mblidhen të hënën, më 22 janar, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.
Bëhet fjalë për konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”.
Nikoqir i konferencës do të jetë kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në konferencë, ashtu sikurse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq.
Në takim do të ketë edhe përfaqësues prej Bosnje-Hercegovinës.
Përveç tyre, Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen prej Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Në mesin e zyrtarëve të BE-së do të jetë drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman dhe zyrtarë tjerë.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.
Pagesat është thënë se do të ekzekutohen vetëm pas përmbushjes së reformave të diskutuara.
Rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE
Krocia ka qenë e para prej vendeve të rajonit që ka aplikuar për anëtarësim në BE, më 2003 dhe e ka finalizuar procesin.
Ndërkohë kanë aplikuar edhe vendet tjera, përfshirë Kosovën, më 2022.
Statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE kanë arritur ta marrin Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje – Hercegovina.
Nga këto vende, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllokun evropian, pasi që kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim.
Kosova nuk e ka as statusin e vendit kandidat.
“Prania e O’Brien në Shkup tregon se SHBA dëshirojnë rezultate të prekshme në dialog“
Mentor Nazarko, analist nga Tirana, beson se takimet e liderëve të rajonit në Shkup, në të cilin përveç atyre evropiane do të jenë të pranishëm edhe zyrtarë të lartë amerikanë, do të ndikojnë në përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjes së dialogut Serbi-Kosovë, sepse veçanërisht SHBA-të janë të interesuara për rezultate të prekshme në procesin e normalizimit.
“Tani duhen rezultate konkrete, Aneksi i Ohrit i marrëveshjes parasheh disa hapa dhe obligime për secilën palë, duke filluar me njohjen e simboleve të të dyja vendeve, hapjen e zyrave përfaqësuese… Nga ana tjetër, nga Kosova kërkohet që të formoi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, po ashtu, një mesazh i rëndësishëm është vendi që u zgjodh për mbajtjen e mbledhjes, domethënë rëndësinë që i jepet nikoqirit, në këtë rast, kryeministrit maqedonas Kovaçevski. Interesi amerikan është të mbajë një kurs properëndimor në Maqedoninë e Veriut, ku priten zgjedhje dhe ku vazhdimi i këtij kursi vihet në dyshim, veçanërisht nëse vërtetohet se VMRO-DPMNE, e cila kundërshton reformat, do të fitojë”.
“Këto do të jenë dy mesazhet kryesore të takimit, por do të inkurajohet edhe bashkëpunimi në rajon, ku ka ndikim potencial rus”, thotë Nazarko për Kosovo Online.
Ai shton se për këtë arsye SHBA-ja dhe BE-ja nuk po zvarriten, por po investojnë përpjekje politike për të arritur rezultate të dukshme në rajon, sidomos kur është fjala për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Besoj se ky takim dhe prezenca amerikane do të ndikojë në zbatimin e marrëveshjes. Vuçiq nuk mund të japë më justifikime si para zgjedhjeve. SHBA, dhe Perëndimi në përgjithësi, legalizuan fitoren e tij në zgjedhje. Nga ana tjetër, Kosova është nën sanksionet e BE-së, të cilat janë publike, ndoshta edhe SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj Kosovës, të cilat nuk bëhen të ditura”.
“Kjo klimë sanksionesh dhe presionesh individuale, ndryshimi i situatës politike në të dyja vendet dhe afrimi i zgjedhjeve evropiane dhe amerikane janë rrethana që mund të ndikojnë në ecurinë e dialogut”, tha Nazarko.