Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nëntë pacientë të prekur nga sëmundja COVID-19 po marrin trajtim shëndetësor, ndërkaq edhe tre pacientë pritet që të shtrohen në këtë Klinikë.
Doktoresha Sadije Avdiu nga Klinika Infektive, tha se vetëm një paciente është në gjendje më të rënduar shëndetësore.
“Në Klinikën Infektive janë të shtruar 17 raste, prej tyre nëntë pacientë pozitivë me COVID-19. Për tri raste të tjera jemi në pritje që të pranohen në Klinikë. Tri pacientë janë me oksigjenoterapi. Gjendja më e përkeqësuar është e pacientes është pranuar para një jave, e cila është nga Rahoveci dhe që është edhe në dializë. Ajo e ka pak gjendjen më të rënduar”, tha Avdiu, për REL.
Në Klinikën Infektive vazhdojnë të marrin trajtim edhe pesë pacientë që kanë rezultuar negativë në testimet e fundit për koronavirus.
Në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike janë 880 raste me koornavirus, ku 653 pacientë janë shëruar dhe 28 kanë vdekur