Janë bërë 9 muaj që kur Bedri Rexhepi është zhdukur. Një person deri tani është arrestuar për rrëmbimin e tij, mirëpo pavarësisht kësaj nuk dihet për fatin e të riut, shkruan IndeksOnline.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka reaguar lidhur me shkrimin e publikuar nëpër media se prokurorja e çështjes e cila është duke e trajtuar rastin e zhdukjes së Bedri Rexhepit, nuk ka dhënë sqarime dhe nuk ka qenë bashkëpunuese me familjarët e të dëmtuari
“Ju njoftojmë se më 13 prill 2021, e njëjta (prokurorja) është ngarkuar me rastin në fjalë dhe po të njëjtën ditë me urdhër të saj është ndaluar personi me inicialet J.V., i dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi”, të paraparë sipas KPRK-së, si dhe është dërguar në paraburgim”, thuhet në reagim.
Prokuroria thotë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore përkitazi me këtë rast.
“Ne e kuptojmë shqetësimin e familjes së të dëmtuarit dhe të shoqërisë në përgjithësi, mirëpo pretendimet e familjarëve se prokurorja e çështjes nuk ka qenë bashkëpunuese dhe nuk është angazhuar lidhur me rastin, nuk qëndrojnë, pasi nga raportimi i këtij rasti, prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, duke bashkëpunuar edhe me strukturat e sigurisë së Kosovës, po ashtu, janë zhvilluar takime radhazi në prokurori me familjarët e të dëmtuarit dhe avokatit të tyre mbrojtës dhe se aktualisht ndaj rastit në fjalë, prokuroria po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të sqarimit në tersi të kësaj çështje penale”, thuhet ndër të tjera në reagim./