Buxheti i komunave të Kosovës, në dispozicion për t`u shpenzuar sivjet, sipas Ligjit për Buxhetin për vitin 2024, i miratuar në Kuvendin e Kosovës është 742.92 milionë euro.
Pjesa më e madhe e buxhetit komunal, përbëhet nga granti i Qeverisë në vlerë 634.73 milionë euro apo 85.44 për qind dhe të hyrat vetanake të komunave në vlerë 105.52 milionë euro apo 14.20 për qind, që së bashku përbëjnë rreth 740.25 milionë euro. Ndërsa me klauzolën e investimeve me buxhet parashihen edhe 2.66 milionë euro apo 0.36 për qind.
Në anën tjetër, këto mjete buxhetore janë paraparë të shpenzohen në vlerë 358.74 milionë euro për paga dhe shtesa, mallra dhe shërbime 119.68 milionë euro, shpenzime komunale 14.91 milionë euro dhe subvencione dhe transfere 30.49 milionë euro. Shuma e përgjithshme e shpenzimeve rrjedhëse të komunave përbën 70.51 për qind të buxhetit për to.
Për investime kapitale, janë buxhetuar 216.02 milionë euro apo 29.08 për qind. Ndërsa pjesa tjetër e buxheti më pak se një për qind për klauzolë investive dhe rezerva.
Në Kosovë janë gjithsej 38 komuna, 14 prej tyre kanë buxhet nga 1 deri në 10 milionë euro, me buxhet mbi 10 milionë deri 20 milionë euro janë 12 komuna, nga 20 milionë deri 40 milionë janë 9 komuna ndërsa komuna e Ferizajit 41.18 milionë euro, Komuna Prizren 65.20 milionë euro dhe Komuna e Prishtinës 122.70 milionë euro.
Komuna e Prishtinës, apo kryeqyteti, prinë për nga buxheti në krahasim me komunat tejra në vend. Prishtina ka buxhet 122.70 milionë euro, ndërsa komuna me buxhetin më të vogël është Komuna e Kllokotit me rreth 1.40 milionë euro.