Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 3 gusht 2015 votuan pro ndryshimit të amendamentit kushtetues që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Ishin 82 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim, që i hapën rrugë Qeverisë t’i dërgojë edhe dy projektligje të tjera sa i përket Speciales.
Opozita ishte ajo që u tregua më e zëshmja në kundërshtimin e themelimit të Gjykatës Speciale, duke e quajtur të padrejtë, selektive dhe e cila do ta cenojë sovranitetin e vendit.
Qeveria dhe pozita e quajtën të padrejtë këtë votim, por të domosdoshme për t’i hequr dyshimet për krime të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën e fundit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për krime lufte në Kosovë vitin e kaluar ka ngritur aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, si dhe ndaj ish-pjesëtarit të UÇk-së, Pjetër Shala.
Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe kanë staf ndërkombëtar.