Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 7 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë Basri Korçën, të akuzuar për grabitje e armëmbajtje pa leje.
Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Korça u bë të enjten nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, në seancën e mbajtur më 12 shtator të këtij viti, me kërkesë të prokurorit të shtetit është veçuar procedura për të akuzuarin Abit Gllareva, i cili akuzohej së bashku me Korçën.
Gjykatësja Hasaj-Hyseni tha se për veprën penale të grabitjes të kryer me datë 15.12.2019 nga dispozitivi i parë i aktakuzës, i akuzuari Korça dënohet me 7 vite burgim ku do t’i llogaritet edhe koha e paraburgimit nga 4 marsi i vitit 2020.
Sa i përket dispozitivit të dytë të aktakuzës të datës 14.12.2019, gjykatësja tha se Korça lirohet në mungesë të provave.
Ndërsa, për veprën penale që ka të bëjë me mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të armës, i njëjti dënohet me 1 mijë euro gjobë si dhe i konfiskohet arma, gjegjësisht thika.
I akuzuari Korça gjithashtu detyrohet që të dëmtuarit Sejdi Gela t’ia paguaj dënim në shumë prej 280 euro pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ndërsa sa Iipërket të dëmtuarës “Exfis”, e njëtja udhëzohet në kontest civil.
Korça po ashtu detyrohet të paguaj edhe shpenzimet gjyqësore sipas fletë-shpenzimit të gjykatës, shumën prej 500 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe shumën prej 50 euro në emër të programit për fondin e viktimave.
Gjykatësja Hasaj-Hyseni tha se pas shpalljes së aktgjykimit, të njëjtit me aktvendim të posaçëm i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më tepër se sa dënimi i shqiptuar.
Ndryshe, në fazat e mëhershme, dy të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Kurse, i akuzuari Korça e ka pranuar fajësinë edhe për grabitjen në pompën e derivateve “Exfis”, por jo edhe për atë në “Kosova Thëngjill”.
Këto pranime ishin aprovuar nga gjykata.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 20 korrik 2020, Abit Gllareva dhe Basri Korça po akuzohen se në marrëveshje paraprake e me qëllim të përfitimit të pasurisë së luajtshme, me përdorimin e forcës, të maskuar dhe të pajisur me armë kanë grabitur të dëmtuarit Sejdi Gela e Zeqir Jupolli.
Sipas aktakuzës, më 15 dhjetor 2019, rreth orës 23:36 minuta, me veturën e tipit “Hoday”, të maskuar dhe të armatosur, i pandehuri Abit Gllareva me revolen e tipit “Zastava”, ndërsa i pandehuri Basri Korça me thikë, kanë shkuar në pompën e derivateve të naftës “Exfis” që gjendet në Obiliq, janë futur në zyrë ku ishte punëtori-tani i dëmtuari Sejdi Gela, ia drejtojnë armët dhe i drejtohen me fjalët “qiti paret”. Aty thuhet se nën kërcënimin e armëve nga i njëjti marrin shumën e parave rreth 280 euro dhe një paketë me lloje të ndryshme të cigare në vlerë prej rreth 540 euro, si dhe telefonin Mobil “Iphone S”. Pas kësaj thuhet se me veturë largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, shkojnë në fshatin Prugovc, tentojnë që ta djegin veturën me benzinë, e pastaj largohen në drejtim të panjohur. Me këtë, sipas aktit akuzues, të dëmtuarit i shkaktojnë frikë të madhe dhe dëm material.
Tutje, sipas aktit akuzues, më 14 dhjetor 2019, rreth orës 18:11 minuta, në zyrën e kompanisë SH.A. “Kosova Thëngjill”, aty ku bëhen pagesat për qymyrin e shitur, që gjendet në oborrin e Termocentralit Kosova “A” në Obiliq, të maskuar dhe të armatosur, i pandehuri Abit Gllareva me revole ndërsa Basri Korça me thikë, futen në zyrën ku ishte duke punuar tani i dëmtuari Zeqir Jupolli dhe i drejtohen me fjalët “qiti paret, vraje vraje”. Tutje, aty thuhet se e sulmojnë tani të dëmtuarin duke i shkaktuar lëndime trupore, e më pastaj arrijnë që t’i marrin shumën e parave prej rreth 600 euro, ku 60 euro kanë qenë të dëmtuarit Zeqir Jupolli, ndërsa pjesa tjetër e kompanisë. Në aktakuzë thuhet se nga aty marrin edhe dy telefona, njëri “Samsung GalaxyS” dhe tjetri “Nokia” i thjeshtë, një gjaket të kolegëve të të dëmtuari dhe dy kartela të bankës. Më pas, të njëjtit thuhet se largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, me ç’rast të dëmtuarve u shkaktojnë dëm material, kurse Zeqir Jupollit edhe lëndime trupore.
Me këtë, Gllareva dhe Korça akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 317, paragrafi 3 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit, nga koha e pacaktuar e deri më 4 mars 2020, kanë poseduar armë me të cilat kanë kryer veprat penale të përshkruara si në dispozitivin e parë të aktakuzës. Në momentin e arrestimit thuhet se të pandehurit Abit Gllareva i është gjetur dhe sekuestruar revolja e tipit “Zoraki M”, me një karikator dhe 4 fishekë.
Me këtë, secili veç e veç akuzohet për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.